TIRANË

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano deklaroi sot se testi i drogës për efektivët e policisë do të kalojë në disa faza. I pyetur nëse kanë rezultuar efektivë pozitivë për drogë, ai tha në një prononcim për mediat se nuk do të ketë asnjë penalizim për policët pa u bindur plotësisht për rezultatet.

Qëllimi sipas Nanos, është një polici e pastër për të krijuar besueshmëri në raport me komunitetin.

“Dua që të informoj dhe të mos ketë asnjë keqkuptim. Policia e Shtetit me këto veprime që ka ndërmarrë nuk ka për synim penalizmin apo terrorizimin e forcave të policisë. Forcat e policisë kanë mbështetjen time personale dhe të ligjit për punën që kryejnë. Testi i drogës do të zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara shumë qartë dhe nuk do ndërmarrim asnjë veprim penalizues për asnjë punonjës policie pa u bindur plotësisht për këta punonjës policie që rezultojnë përdorues të lëndëve narkotike. Nuk ka përfunduar testi i drogës, është në fazat e para. Qëllimi ynë është parandalimi në radhë të parë i përdorimit të lëndëve narkotike nga punonjës policia dhe më pas do vazhdojmë me faza të tjera të miratuara nga institucionet shtetërore që do japin aktin përfundimtar për çdo punonjës policie që do të testohet. Duam një polici të pastër dhe kjo bëhet edhe për një arsye tjetër më të fortë, për të krijuar besueshmëri në nivel më të lartë në raport me publikun dhe komunitetin. Në përfundim të këtij procesi do ketë informacion zyrtar nga Policia e Shtetit”, deklaroi Nano.

Sa i përket krimeve të rënda që janë ende pa autor, Nano tha se në lidhje me ngjarjet që janë në hetim, nuk mund të japë asnjë detaj sepse dëmtojmë hetimin. Ndërsa për personat në kërkim që ikin drejt Dubait, ai tha se jemi në bashkëpunim me institucionet kombëtare dhe të ndërkombëtare si dhe me institucionet e Emirateve të Bashkuara për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb