Një ekip studiuesish britanikë ka hedhur poshtë një nga mitet më të vjetra që qarkullojnë për diktatorin nazist Adolf Hitler, se ai kishte një gjysh me origjinë hebreje.

Sipas një dokumentari të ri që do të transmetohet në kanalin Channel 4, rezultatet e analizës gjenetike të ADN-së së Hitlerit tregojnë se nuk ka asnjë provë për prejardhje hebraike në linjën e tij familjare.

ADN-ja e marrë nga divani i vetëvrasjes
Studiuesit arritën të analizojnë një copë pëlhure të njomur me gjakun e Hitlerit, e cila është marrë nga divani ku ai kreu vetëvrasje më 30 prill 1945, në bunkerin e tij në Berlin.

“Është hera e parë që analizohet gjenomi i plotë i Adolf Hitlerit,” deklaroi Turi King, gjenetiste në Universitetin e Bath, e njohur edhe për analizat që ndihmuan në identifikimin e eshtrave të mbretit Richard III në vitin 2012.

Përputhje e plotë me linjën familjare të Hitlerit
Analiza gjenetike tregoi një përputhje të plotë midis ADN-së së Hitlerit dhe linjës atërore të familjes së tij. “Nëse miti do të kishte qenë i vërtetë, nuk do të kishim parë përputhje të tilla gjenetike,” shpjegoi King, duke shtuar se rezultatet “hedhin poshtë përfundimisht” historinë e një gjyshi hebre.

Ky mit kishte lindur që në kohën kur Hitleri ishte gjallë dhe ishte përhapur nga kundërshtarët e tij politikë, për shkak të mungesës së dokumenteve të qarta mbi origjinën e babait të tij, Alois Hitler.

Rezultatet zbulojnë edhe sëmundje të mundshme gjenetike
Studimi zbuloi gjithashtu se Hitleri ndoshta vuante nga sindroma Kallmann, një çrregullim i rrallë gjenetik që te meshkujt shfaqet me mungesë të testosteronit dhe zhvillim jonormal të organeve gjenitale. Kjo përputhet me dokumentet mjekësore historike që përmendin se diktatori vuante nga kriptorkidizmi (moszbritje e njërit testis), siç përshkruhet edhe në burime mjekësore të kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Këngët ushtarake të aleatëve në atë periudhë shpesh tallnin “anomalinë fizike” të diktatorit, ndërsa tashmë analiza gjenetike e konfirmon këtë si një fakt shkencor.

Predispozitë për çrregullime mendore
Testet treguan gjithashtu se Hitleri kishte një nivel të lartë predispozicioni gjenetik (rreth 1%) për zhvillimin e autizmit, skizofrenisë ose çrregullimit bipolar. Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto predispozita nuk mund të shpjegojnë politikat ekstreme dhe aktet gjenocidale të regjimit nazist. “Gjenetika mund të tregojë predispozita, por nuk shpjegon zgjedhjet morale apo politike të një individi,” thuhet në dokumentarin “ADN-ja e Hitlerit: Profili i një diktatori”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: