Nga OLA MITRE*
Jemi të vendosur dhe do të ndjekim çdo hallkë ligjore për të ndaluar testimin ndaj mjekëve”. Deklarata vjen nga presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, i cili thekson se çështja do të çohet në gjykatë, pasi procesi i vlerësimit të aftësive të mjekëve sipas tyre është antiligjor. “Aktualisht po presim që Ministria e Shëndetësisë të reflektojë dhe të tërhiqet nga nisma antiligjore e testimit të mjekëve. Ne po vëmë re se vëmendja është përqendruar te infermierët, ndaj besojmë se mund të ketë një tërheqje, por nëse kjo nuk ndodh ne do ta çojmë çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese, pasi ritheksojmë për të disatën herë që testimi është i jashtëligjshëm”, u shpreh Abazaj. Ndërkaq, edhe Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë duket se do të adresojë çështjen në gjykatë. Sipas presidentit, Sabri Skënderi janë duke u bërë konsultimet me ekspertët ligjorë, të cilët do të hartojnë dhe padinë përkatëse.
Ministria
Pavarësisht kontestimeve të shumta nga bluzat e bardha, Ministria e Shëndetësisë nuk ka shfaqur asnjë shenjë tërheqjeje nga procesi, duke shprehur dhe vendosmërinë për zhvillimin e procesit të vlerësimit të aftësive të mjekëve dhe infermierëve. Paralelisht me këtë janë nxjerrë edhe urdhrat e dokumentet përkatës, që fillimisht rregullojnë zhvillimit e testimit për personelin infermieror të kujdesit shëndetësor. Sipas urdhrit të ministrit, Ilir Beqaj nga testimi i infermierëve të sistemit spitalor do të përjashtohen tri kategori të veçanta e më konkretisht: Infermieret femra, të lindura përpara datës 1 janar 1958, infermierët meshkuj të lindur përpara datës 1 janar 1953 si dhe personeli infermieror, që është licencuar nga Urdhri i Infermierit pas datës 1 janar 2014. Po ashtu, ky dokument përcakton se personeli infermieror, i punësuar në shërbimin spitalor universitar, do të testohet në datat 28 shkurt dhe 1 mars 2015. Për personelin infermieror, të punësuar në shërbimin spitalor rajonal, procesi i vlerësimit do të kryhet në datën 6 mars 2015, ndërsa për të punësuarit në shërbimin spitalor bashkiak, procesi do të kryhet në datat 20 dhe 21 mars 2015.
(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)
