Nëse keni qenë ndonjëherë shtatzënë, keni ngrënë ushqime pikante, apo e keni tepruar me të ngrënit, me siguri keni vuajtur nga urthi (thartira në stomak) në një moment të caktuar. Zakonisht nuk është asgjë për t’u alarmuar, megjithatë ka raste që nuk duhet t’i injoroni, shkruan “shëndeti”.

Ja cilat janë 8 arsyet mjekësore përse nuk duhet ta injoroni urthin në stomak.

Urthi mund të imitojë atakun në zemër
Simptomat e urthit mund të jenë të njëjta me ato të atakut në zemër ose anginës – një lloj dhimbje të gjoksit që shkaktohet nga pakësimi i rrjedhjes së gjakut në zemër. Ka disa ndryshime të vogla mes urthit dhe sulmit në zemër. Për shembull, urthi zakonisht përkeqësohet kur jeni shtrirë dhe mund t’ju lërë një shije të hidhur në gojë. Megjithatë, ka përjashtime. Nëse keni dyshime, duhet gjithmonë të konsultoheni me mjekun. Gjithashtu, duhet të bëni menjëherë vizitë mjekësore nëse përjetoni dhimbje në të gjithë pjesën e kraharorit, kulloni nga djersa, jeni zbehur në fytyrë dhe jeni jashtëzakonisht shumë të lodhur. Këto shenja të fshehta mund të paralajmërojnë për atak në zemër.

Urthi mund të jetë në të vërtetë gurë në tëmth
Gurët në tëmth janë lëngje digjestive të ngurtësuara që mund të formohen në tëmth, një organ i vogël në pjesën e djathtë të stomakut. Guri bllokon kanalin e biles, duke shkaktuar kështu dhimbje në stomak. Zakonisht dhimbja fillon të shfaqet pasi keni ngrënë – ngjashëm me urthin. Nëse keni dhimbje të vazhdueshme në stomak pasi hani, që nuk përmirësohet as nëse merrni një ilaç kundër aciditetit të lartë në stomak, bëni një vizitë mjekësore.

Urthi i shpeshtë mund të jetë simptomë e refluksit gastro-ezofageal

Njerëzit që vuajnë nga refluksi gastro-ezofageal kanë gjithmonë si simptomë të parë urthin. Refluksi gastro-ezofageal është një sëmundje digjestive kronike që shfaqet kur përmbajtja e aciditetit në stomak kalon në fyt. Refluksi irriton pjesën rrethuese të ezofagut, duke shkaktuar kështu refluks gastroezofageal. Nëse përjetoni urth apo refluks të paktën dy herë në javë, ose nëse ndërhynë në jetën e përditshme, është momenti të konsultoheni me një mjek.

Refluksi gastroezofageal mund të çojë në ezofagitin barret
Nëse lihet pa trajtuar, refleksi gastroezofageal mund të përfshihet në ezofagitin barret (një sëmundje në të cilën qelizat jonormale zhvillohen në brendësi të ezofagut).

Dhimbja e urthit mund të maskojë ulcerën në stomak
Ulcera është një lezion i mukozës/cipës gastrike (stomakut). Ky lezion shfaqet atëherë kur sekrecionet gastrike që përmbajnë acid klorhidrik dhe një enzimë tjetër që quhet pepsinë, irritojnë mukozën e stomakut duke e gërryer atë deri në shfaqjen e kraterit ulceroz. Dhimbja nga ulcera në stomak mund të ndihet në pjesën e sipërme të stomakut dhe kraharor, dhe në disa raste mund të jetë e njëjtë me dhimbjet e urthit. Nëse nuk trajtohet siç duhet, ulcera mund të çojë në gjakderdhje, vrima të vogla në murin e stomakut dhe bllokim midis stomakut dhe zorrës së hollë. Edhe pse disa ulcera në stomak shërohen vetë, disa kërkojnë antibiotikë, madje edhe ndërhyrje kirurgjikale.

Urthi mund të jetë hernia hiatale

Diafragma normalisht ka një vrimë të vogël nëpërmjet të cilës ezofagu kalon ushqimet në stomak. Hernia hiatale shfaqet kur ushqimet dhe acidi rikthen në ezofag, duke shkaktuar kështu urth. Nëse keni vazhdimisht shenja ose simptoma të urthit, duhet të bëni një vizitë mjekësore. Zakonisht vetëm ilaçet nuk mjaftojnë për të mbajtur nën kontroll sëmundjen – mund të lindë nevoja edhe e ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale.

Urthi i shpeshtë çon në ezofagit
Ezofagiti është një inflamacion i ezofagut, i shkaktuar shpesh nga acidet në stomak që rikthehen në ezofag. Kjo mund të shkaktojë dhimbje të kraharorit dhe vështirësi në gëlltitjen e ushqimit. Nëse lihet pa trajtuar, ezofagiti mund të dëmtojë pjesën rrethuese të ezofagut dhe të çojë në komplikacione si acarim të fytit dhe vështirësi në gëlltitjen e ushqimit.

Urthi mund të jetë simptomë e kancerit
Në raste në rralla, urthi mund të jetë shenjë e kancerit të stomakut ose fytit. Nëse keni pasur urth të vazhdueshëm ose vështirësi të gëlltitjes së ushqimit për 3 ose më shumë javë, duhet të bëni një vizitë mjekësore. Shenja të tjera janë: ndjesia e ngjitjes së ushqimit në fyt kur e gëlltisni, rënie e pashpjegueshme nga pesha, gaza, të përziera ose të vjella dhe dhimbje ose parehati në qendër të stomakut.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: