Protestat kundër qeverisë shqiptare kanë tërhequr vëmendjen e gazetës amerikane “Washington Post”, e cila raporton për shtimin e pakënaqësisë dhe përplasjet e përsëritura në Tiranë. Në ditën e tetë të demonstratave, të martën, policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe topa uji për të larguar protestuesit.
Sipas shkrimit, kërkesat e gjimnazistëve dhe studentëve për uljen e tarifave, shtimin e fondeve për arsimin dhe luftën kundër korrupsionit në këtë sektor janë ndërthurur me kundërshtimin më të gjerë ndaj qeverisë. Pjesëmarrësit në protesta kërkojnë tashmë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gazeta përshkruan përballjet e ditëve të fundit në qendër të kryeqytetit, ku protestues kanë qëlluar drejt forcave të rendit me gurë, mjete piroteknike dhe bomba zjarri. Policia është përgjigjur me përdorimin e shkopinjve të gomës, gazit lotsjellës dhe ujit me presion.
“Washington Post” e vendos situatën në Shqipëri në sfondin e pakënaqësive që kanë nxitur protesta edhe në vende të tjera evropiane. Shtrenjtimi i karburanteve, problemet në arsim, përkeqësimi i shërbimeve publike dhe vështirësitë për të përballuar strehimin përmenden si shqetësime që kanë mobilizuar qytetarët në disa shtete.
Në shkrim përmenden gjithashtu tubimet e muajve të fundit të Lëvizjes Flamingo. Kjo lëvizje kundërshton një projekt turistik luksoz në jug të Shqipërisë, të lidhur me një kompani investimesh të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Përballë protestave, Rama ka deklaruar se ndryshimi i pushtetit përmes dhunës nuk do të pranohet. Pas një takimi të martën me mësues dhe përfaqësues të shkollave të Tiranës, ai pretendoi se shqetësimet e qytetarëve po shfrytëzohen nga persona që nxisin qëllimisht përplasjet.
Kryeministri e cilësoi situatën si një “luftë hibride”, ndërsa pranoi se vështirësitë ekonomike, pasiguria për të ardhmen dhe problemet me strehimin janë shqetësime reale.
Megjithatë, ai akuzoi protestuesit se po krijojnë një atmosferë terrori në kryeqytet dhe pretendoi se studentët pjesëmarrës lidhen me rryma të reja politike ekstremiste.
