Mark Markez ka fituar Çmimin e Madh të Çekisë në Moto GP, duke stampuar dopietën e tetë sezonale, në një kampionat që e sheh gjithnjë e më shumë dominues.
Pas suksesit në Sprint, i nisur nga pozicioni i dytë, spanjolli i Dukatit priti xhiron e tetë për të marrë komandën e garës, ndërsa më pas u la “targën” rivalëve, duke shënuar një tjetër triumf bindës. Paraqitje e mirë në Brno edhe për Marko Bexekin e Aprilias, i cili u rendit në vendin e dytë, ndërsa podiumi u plotësua nga Pedro Akosta (KTM), i klasifikuar i treti.
Piloti spanjoll i bëri ballë në fund sulmeve të Françesko Banjajas, me italianin e Dukatit që duhet të kënaqet me vendin e katërt në një garë që e pa të startonte nga “pole position”. Duke u kthyer te protagonisti i madh i garës së djeshme në Çeki, por edhe i këtij sezoni në Moto GP, Mark Makrez në Brno regjistroi eventin e pestë radhazi me pikë të plota, 37.
Tashmë pas 12 fundjavave të kampionatit, e ka çuar në plot 120 pikë diferencën në renditje nga ndjekësi më i afërt, i cili është vëllai i tij, Aleks Markez. Piloti i ekipit Dukati Gresini pati një të diel zhgënjyese, duke e mbyllur i tërhequr pas vetëm pak xhirosh, për të nxjerrë jashtë gare edhe bashkëkombësin e tij, Joan Mir.
Piloti i Hondës madje u pa i tërbuar pas përplasjes që i kushtoi garën në Çeki. Për t’u veçuar nga fundjava e Çekisë ishte edhe rikthimi i Horge Martinit. Kampioni në fuqi i Moto GPsë ka lënë pas kalvarin e gjatë të dëmtimeve, ndërsa u rendit në vend të shtatë, duke marrë kështu edhe pikët e para sezonale. Pas Çmimit të Madh të Çekisë, Botërori 2025 do të ketë pauzën verore, për t’u rikthyer në fundjavën mes datave 15-17 gusht për të nisur gjysmën e dytë të kampionatit në Austri.
