Në emisionin “Në Shënjestër”, të gazetares Klodiana Lala, u trajtua arrestimi i Ergys Agasit në zonën e Plepave në Durrës, pas tetë muajsh në kërkim nga drejtësia. Dokumentari rindërton lëvizjet e tij në ditën e arrestimit, ndjekjen me dron nga autoritetet dhe rolin e ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i cili ndodhej në timonin e automjetit ku udhëtonte Agasi.

Sipas materialit hetimor të referuar në emision, Agasi ishte monitoruar për disa orë, ndërsa lëvizjet e tij nga Durrësi drejt Elbasanit dhe më pas kthimi në qytetin bregdetar ishin ndjekur nga autoritetet.

Dokumentari ndalet gjithashtu te dëshmitë e pronarit të automjetit dhe versioni i Shpatarakut për mënyrën se si kishte përfunduar në të njëjtën makinë me personin e shumëkërkuar.

Pjesë nga dokumentari:

Tetë muaj që e kishin kthyer në njeriun më të shumëkërkuar në Shqipëri.

Dhe një perëndim fundgushti që i dha fund arratisë së njeriut që i dha një tjetër kuptim botës së mbi dhe nëndheshme, duke lëvizur fije të rëndësishme midis shtetit dhe krimit.

27 Gusht 2026

Një makinë tip Audi i Zi sapo ka lënë ndërkohë qytetin e Elbasanit, 40 km larg Tiranës.

Në bordin e këtij automjeti ndodhen dy persona.

Njëri në drejtimin e automjetit dhe tjetri në sediljen e parmë të tij.

Gjithçka duket se shkon në qetësi.

Dhe rruga përveç kaosit të zakonshëm që ofron në këtë pikë të sezonit veror, nuk duket se do të sjellë ndonjë shqetësim për dy personat në bordin e makinës.

Kështu të paktën duket deri më tani.

Por pa e ditur se pas tyre të fshehur në trafikun e dendur të rrugës që po përshkojnë në gjueti të tyre dhe të mjetit me të cilin po udhëtojnë drejt Durrësit, janë qepur nga pas, edhe disa automjete që nuk duket të jenë përdorues të zakonshëm të rrugës.

Ora 17.00

Ndërsa kanë udhëtuar për afro 40 minuta nga Elbasani dhe përpara tyre duket shumë pranë destinacioni final, Durrësi, papritur makina e tyre duhet të bëjë një ndalesë të sforcuar.

Është perëndimi i një dite, por që duket se është edhe perëndimi i një ylli në kërkim.

Informatat e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk kanë tradhëtuar.

Në sediljen e parmë të automjetit tip Audi, ndodhet pikërisht ai.

Personi më i shumëkërkuar nga drejtësia në këto tetë muaj, që nga shpallja e tij i akuzuar për disa vepra të rënda penale. Ergys Agasi.

Pamjet që po shikoni edhe në këto momente, të arrestimit të tij, në zonën e Plepave në Durrës.

Njeriu që të gjithë tashmë e njohin si ‘Eminenca gri’.

Figura që lidhi në një dorë krimin dhe pushtetin.

Ose më saktë fijet e krimit të organizuar me Edi Ramën, të paktën kështu ngriti akuzë ish-zv/kryeministri, Arben Ahmetaj.

Dhe që thuhet se pati një ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në tenderat e AKSHI-t, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, por që pushteti i tij arriti deri aty sa të emëronte edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Apo edhe të tjerë në administratë.

Apo deri të shkarkonte dhe të emëronte ministra të Brendshëm.

Pushtet që i kishte siguruar në pak vite miliona euro pasuri si dhe një ndikim të padiskutueshëm në një territor të gjerë të shtrirë midis Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit.

Gjë u pa edhe në momentin e arrestimit të tij.

Ku në drejtimin e automjetit me të cilin udhëtonte, qëndronte Uljan Shpataraku.

Deri pak kohë më parë ish-drejtues policie, njeriu më i afërt i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.

Ky i fundit i përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit pas largimit të Ilir Prodës nga drejtimi i uniformave blu.

Shpataraku që mbante detyrën e këshilltarit të drejtorit të departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin, kur Ilir Proda drejtonte Policinë e Shtetit në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm, që tashmë ishte kthyer në shoferin personal të personit të shumëkërkuarit, Ergys Agasi.

Shpataraku që pak përpara sesa të kapej teksa shoqëronte Agasin, edhe vetë kishte qenë në kërkim nga policia pasi në fillimin e muajit gusht dyshohej se kishte kanosur stafin e një hoteli në Dhërmi.

Arrestimi i Agasit dhe Shpatarakut, që forcoi edhe njëherë zërat e lidhjes së policisë me krimin.

Njohja mes tyre që mendohet të jetë e hershme, që kur Shpataraku ishte zyrtar i lartë në Policinë e Elbasanit.

Agasi i cili me t’u ndaluar u dërgua fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku u mor në pyetje nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Policia e Durrësit

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), finalizuan operacionin e koduar ‘The Wanted”.

Si rezultat i operacionit, në Durrës u kap shtetasi Ergys Agasi i shpallur në kërkim nga SPAK-u.

Në kuadër të operacionit, u kap dhe u arrestua edhe shtetasi Uljan Shpataraku i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me personin e kërkuar Ergys Agasi.

Po si ra Ergys Agasi në ‘kthetrat’ e policisë?

Burimet thonë se që prej ditës që u shpall në kërkim ai kishte jetuar mes Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, për shkak të lidhjeve të tij me bosë të krimit në këto qytete.

Lidhjet e forta që kishte me policinë, të cilat i jepnin avantazhin të jetonte i qetë në arrati.

Edhe pse askush nuk mund thotë me siguri, por erërat për Ergys Agasin, filluan të frynin të ftohta kohët e fundit.

Dy javët e fundit para se të arrestohej, ai ishte nën vëzhgim.

Teksa u pa shpesh, në Elbasan dhe Durrës.

Por, për të ndërmarrë një aksion për kapjen e tij duhej medoemos që informacioni të ishte tejet i saktë.

Gjë që ndodhi.

Uljan Shpataraku që pretendoi se kishte marrë me qira një makinë, pikërisht automjetin ku u arrestua bashkë me Agasin.

Nga Durrësi ai udhëtoi në Elbasan.

Pikërisht në qytetin e kontrolluar prej vitesh nga bandat, aty ku u pikas dhe konfirmua se në atë automjet ishte dhe Ergys Agasi.

Policia tashmë ishte pranë.

Plani ishte që Ergys Agasit, t’i hiqej çdo mundësi për t’u arratisur apo reaguar.

Ndaj nga Elbasani u lejua të udhëtonte drejt Durrësit.

Pikërisht në hyrje të Durrësit, te zona e njohur si Plepat, policia inskenoi një aksident me makinat civile dhe po aty e ndaloi për kontroll dhe e vuri në pranga Agasin dhe Shpatarakun.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, orët e fundit para se të arrestohej, Ergys Agasi dhe Uljan Shpataraku, u monitoruan nëpërmjet një droni, në të gjithë lëvizjet e tyre nga Durrësi drejt Elbasanit, dhe më pas deri në kthim në qytetin bregdetar, ku edhe u arrestua në orët e pasdites.

Fillimisht referuar hetimeve, mëngjesin e ditës së fundit në liri, ai doli nga kompleksi i Ervis Doçit.

Personazh ky sot në kërkim ndërkombëtar për trafik kokaine si edhe organizatë kriminale.

Por i njohur po kështu edhe për lidhjen e fortë që kishte me Ergys Agasin.

Veprimet hetimore

‘Gjatë kryerjes së veprimeve operative zona është monitoruar nëpërmjet përdorimit të mjetit fluturues pa pilot (dron) me qëllim evidentimin dhe lokalizimin e shtetasit në kërkim.

Konkretisht në orën 11:39 konstatohet duke dalë nga ambientet e katit të dytë të kompleksit të vilave një person në dukje i dyshuar si Ergys Agasi, i veshur me bluzë të bardhë dhe pantallona treçerekëshe ngjyrë të zeza, i cili del nga ambientet e kompleksit, dhe më tej vazhdon në drejtim të hollit në katin e parë dhe më pas futet në ambientet e brendshme të këtij kompleksi.

Sipas vëzhgimit të rreptë që iu bë, Ergys Agasi ndejti në brendësi të kompleksit deri në orën 12.00.

Dhe doli nga aty tashmë jo si drejtues automjeti, por si pasagjer në vendin e parë, të një automjeti tip Audi i zi, që kishte hyrë në këtë kompleks vetëm disa minuta më herët.

Drejtuesi i automjetit që deri në këtë moment ishte i paidentifikuar.

Veprimet Hetimore

Në orën 11:59 gjatë monitorimit u konstatua një automjet tip Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, duke hyrë në ambientet e kompleksit. Ku pasi hyn në portën kryesore, vazhdon drejt parkimit nëntokësor të kompleksit të vilave, aty ku për shkak të xhamave të errësuar të automjetit, nuk u bë i mundur identifikimi i personave që mund të ndodheshin në automjet.

Në orën 12.02, ky automjet u pa të dalë nga kompleksi i vilave nga ku, në sediljen e përparme, në krah të drejtuesit të mjetit, u vërejt një person i veshur me bluzë të bardhë, i cili, nga të dhënat dyshohej të ishte shtetasi Ergys Agasi.

Pikërisht ky është edhe momenti, kur makina me pasagjerin e shumëkërkuar, mbahet në vëzhgim gjatë gjithë kohës.

Ku me të dalë nga ky kompleks, makina me Ergys Agasin në bord, niset drejt Elbasanit, aty ku u pa në Tregun Ushqimor të këtij qyteti, që është në pronësi të babait të Suel Celës.

Këtu ku thuhet se ai qëndroi për afro 5 orë.

Por që askush nuk e di se çfarë ka ndodhur brenda këtij tregu.

Ndjekje e cila vazhdon përgjatë gjithë ditës, deri në momentin e ndalimit të Ergys Agasit.

Veprimet Hetimore

Në orën 12:03, automjeti Audi A6, me portobagazh, ngjyrë e zezë, me targa AB323JK, vazhdon itinerarin e lëvizjes pa ndërprerje nga kompleksi i vilave, në drejtim të Nishtullës, rrethrrotullimit të Shkozetit, drejtimi i Plepave, ku futet nëpër rrugët në afërsi të shinave të trenit, që të nxjerrin në rrugën e Plazhit, Durrës. Ku, pasi arrin në zonën e Plepave, vazhdon drejtimin drejt autostradës, në drejtim të Kavajës, Rrogozhinës, të Peqinit dhe Elbasanit.

Automjet i cili në orën 13.35, pasi bën rrethrrotullimin e Bradasheshit, vazhdon në drejtim të rrugës ‘Kadri Hoxha’, ku në afërsi të tregut Agroushqimor, kthehet në rrugicën djathtas.

Sipas veprimeve hetimore të kryera në terren, Ergys Agasi qëndroi në brendësi të Tregut Agroushqimor, për afro 5 orë.

Ndërkohë që policia e priti për shumë kohë në rrethrrotullimin e Bradasheshit.

Derisa ai të dilte sërish në qarkullim.

Atë që në fakt ndodhi.

Këtu ku fillon edhe njëherë ndjekja nga policia.

Veprimet Hetimore

Në orën 18:16, në rrugën ‘Kadri Hoxha’ konstatohet duke dalë automjeti i tipit Audi A6, metarga AB323JK, i cili vazhdon drejtimin e lëvizjes pa ndërprerje nga rrethi i Bradasheshit, autostradë, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës, ku, në afërsi të zonës së Plepave, në bashkëpunim dhe koordinim me shërbimet e tjera me uniformë të Drejtorisë Vendore Durrës, u bë i mundur ndalimi i automjetit të mbajtur në vëzhgim.

Ku, pas ndalimit të këtij automjeti rezultoi se në vendin e parmë ishte shtetasi Ergys Agasi (person në kërkim), dhe drejtues automjeti një person, i cili pas verifikimit, rezultoi të ishte shtetasi Uljan Shpataraku.

I pyetur në lidhje me automjetin tip Audi me të cilin Ergys Agasi dhe Uljan Shpataraku po lëviznin ditën e arrestimit, pronari i këtij mjeti tha për grupin hetues, se kishte qenë Shpataraku ai i cili ishte paraqitur në po të njëjtën ditë në biznesin e tij, duke i kërkuar të blinte këtë makinë.

Makinë të cilën ai thotë se më tej e pa vetëm në pamjet e shpërndara në televizion gjatë arrestimit të Agasit dhe mikut të tij, Shpataraku.

Kadri G.:

Unë kam një biznes për tregtimin dhe dhënien me qira të automjeteve në Shijak.

Në lidhje me automjetin tip Audi AB 323 JK, më duhet të deklaroj se ky automjet është i imi dhe e kam blerë në Vlorë. Ku e kam nxjerrë edhe në shitje bashkë me njoftimin respektiv.

Më datë 24 Gusht 2026, diku nga ora 15:00, një shtetas me emrin Uljan erdhi dhe u interesua për ta blerë automjetin. Person të cilin unë e njoh si fytyrë nga televizori.

Unë ia dhashë automjetin këtij personi për ta provuar, ku ai më tha se do ta çonte në servis që ta shikonte dhe më pas do të bënte noterinë dhe pagesën për shumën 15.000 euro.

Kadri G. tregoi më tej për grupin hetues se makinë të cilën ai thotë se ia dha Uljanit, e pa më tej vetëm në pamjet filmike që bën xhiron e mediave gjatë arrestimit të Agasit dhe mikut të tij, Shpatarakut.

Ndërkohë që mohoi edhe njëherë të njihte Uljan Shpatarakun dhe Ergys Agasin.

Vetë Uljan Shpataraku, i marrë në pyetje nga grupi hetues, u përpoq të japë një version, gati të pabesueshëm edhe për më naivin në të tilla histori.

Sipas të cilit, ai e kishte takuar rastësisht në rrugë Ergys Agasin dhe e kishte marrë me makinën e tij, pasi ky i fundit e kishte ndaluar në rrugë.

Uljan Shpataraku:

Rreth orës 01:00 të natës, për shkak se djali im kishte temperaturë të lartë dhe ndodhej në Durrës, te vjehrri im, në zonën e Kënetës, unë mora bashkëshorten dhe shkova te ai.

Të nesërmen u zgjova, mora makinën dhe i thashë vjehrrit se do të shkoj në Elbasan.

Me të shkuar në Elbasan unë takova dy miq, piva kafe me ta, dhe më pas ika nga aty. Gjatë kthimit nëpërmjet rrugës së vjetër të Elbasanit, një person më bëri me shenjë dhe unë e mora në makinë.

Uljan Shpataraku tha përpara hetuesve se nuk e kishte njohur Ergys Agasin. Pavarësisht se ai ishte një personazh i njohur në media dhe fotoja e tij qarkullonte kudo.

Po kështu nuk e kishte njohur edhe pse Ergys Agasi ishte një njeri i përfolur që bashkëpunonte ngushtë me ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë Ilir Proda.

Që po kështu ishte shefi i Shpatarakut gjatë kohës që ky i fundit ishte i punësuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, gjatë kohë që Proda u emërua aty.

Uljan Shpataraku:

Gjatë rrugës në bisedë e sipër me personin që kisha në makinë ai më tha se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini. Por unë nuk e dija që personi ishte Ergys Agasi dhe nuk kisha si ta njihja pasi ai ishte në kërkim dhe kur Agasi u ngjit në makinë, ishte me mjekër, kapele dhe shapka.

Gjatë deklarimit të tij, Shpataraku tha më tej se kishte qenë asistent i Drejtorit të Departamentit të IT-së dhe se detyra e tij lidhej me ndihmën ndaj drejtorisë, duke qenë kryesisht në pozicion drejtues i lartë.

Ai po kështu tha se në qarkun e Elbasanit ku kishte ushtruar detyrën si drejtues, as ai dhe as oficerët nuk i dinin të gjithë personat që ishin në kërkim.

I pyetur nëse zakonisht ndalonte persona që i bënin shenjë në rrugë, ai pohoi se e bënte këtë gjë.

Kjo pasi ai ishte besimtar, dhe nuk kishte frikë të merrte njerëz të panjohur në makinën e tij.

Por po kështu Uljan Shpataraku u përpoq të krijonte një alibi edhe për makinën Audi me të cilën u ndalua me Agasin gjatë momentit të arrestimit.

Ku ndryshe nga dëshmia e pronarit të automjetit që tha se Shpataraku erdhi për ta blerë makinën dhe më pas nuk e ktheu më, ky i fundit deklaroi se automjetin ia kishte marrë një shoku që nuk ia dinte mbiemrin.

Uljan Shpataraku:

Unë atë ditë kisha në përdorim një automjet tip Audi, që e kam marrë në Durrës, rreth orës 10:00, një shokut tim, me emrin Tomi, që nuk ia di mbiemrin, të cilin e kam takuar afër Kënetës.

Kjo pasi isha nisur drejt Elbasanit, por makina ime nuk punonte, pasi herëpashere nxehej.

Me këtë automjet unë shkova direkt në Elbasan, ku nuk jam ndaluar në asnjë moment gjatë rrugës.

Ndërkohë që makinën time e lashë në një rrugicë në Kënetë.

Po kështu Uljan Shpataraku u përpoq të relativizonte edhe faktin që ishte parë në zonën e Tregut AgroUshqimor në Elbasan, gjatë kohës që aty ishte Ergys Agasi.

Uljan Shpataraku:

‘Po është e vërtetë, kam shkuar në Elbasan.

Dhe aty kam qëndruar 2 orë. Kam shkuar, kam takuar dy miq të mi, kam pi kafe dhe jam kthyer nga Elbasani. Fakti që të vesh te tregu, nuk është krim dhe nuk je kriminel, tregu është zonë shumë e madhe. Unë marr rrugën e vjetër që të çon në Elbasan për shkak të trafikut që të gjithë Shqipëria e di.’

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb