Aktivistja e shoqatës “Drejtësi Sociale”, Sidorela Vatnikaj, ka denoncuar me tone të forta gjendjen alarmante të sistemit publik shëndetësor, veçanërisht në spitalin onkologjik, gjatë një proteste të zhvilluar para Ministrisë së Shëndetësisë me emrin simbolik “Tetori i Zi”.
E ftuar në emisionin “Log.” në News24, Vatnikaj kritikoi ashpër fushatat zyrtare gjatë “Tetorit Rozë”, muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, duke i quajtur “propagandë boshe dhe fyese” në raport me realitetin që përballin gratë në Shqipëri.
“Jemi të neveritur nga fushata propaganduese që u kërkon grave të bëjnë kontrolle për kancerin e gjirit, ndërkohë që vetë shteti nuk garanton dot as skanerin në spitalin onkologjik, as ilaçet për të sëmurat,” u shpreh ajo.
Vatnikaj theksoi se kjo protestë është rikthim i një denoncimi që është bërë edhe vitin e kaluar, por që, sipas saj, ka hasur në heshtje dhe neglizhencë totale nga institucionet. “Një vit më vonë, spitali onkologjik është po aty, ndoshta edhe më keq. Asgjë nuk ka ndryshuar. Gratë me kancer ende përballen me mungesën e ilaçeve dhe trajtimeve bazë,” tha ajo.
Aktivistja kërkoi një sistem shëndetësor publik me dinjitet, ku çdo pacient të ketë akses në trajtimin që i takon dhe që e ka paguar përmes kontributeve.
“Ky është një shërbim që shqiptarët e paguajnë, si të punësuar ashtu edhe të papunë. Dhe kur fatkeqësia troket në derë, përballen me një sistem ku duhet të marrin ilaçin në karrige, në stol apo në korridoret e spitalit onkologjik, sepse nuk ka as poltrona,” u shpreh ajo me indinjatë.
