Egnatia udhëton drejt Ballshit në një moment aspak të lehtë. Skuadra rrogozhinase ka vuajtur jo pak probleme në këtë fillim sezoni, ndërsa tashmë përballet edhe me mungesa të rëndësishme në përbërje.

Dëmtimet dhe pezullimet kanë lënë jashtë disa titullarë, duke ia vështirësuar llogaritë trajnerit Edlir Tetova. Ky i fundit ka qenë i detyruar të bëjë ndryshime në formacion, si dhe të aktivizojë lojtarë që nuk kanë pasur shumë minuta deri më tani.

Për vetë natyrën e ndeshjes, përballë një rivali si Bylisi, mungesat peshojnë edhe më shumë. Kjo e kthen sfidën jo vetëm në një përballje sportive, por edhe në një test të vërtetë për forcën e grupit, që duhet të tregojë karakter dhe të luajë si një bllok i vetëm.

GODITJET STANDARTE, “PLAGË” E HAPUR – Një nga “pikat e dobëta” të Egnatias në këtë fillim kampionati kanë qenë goditjet e ndaluara. Ndeshja ndaj Vllaznisë e vërtetoi më së miri. Dy golat e pësuar erdhën pas goditjeve të ndaluara, ku mbrojtja nuk arriti të reagonte siç duhet. Kjo situatë ka shqetësuar stafin teknik, që ka kërkuar më shumë përqendrim dhe përgjegjësi në këto episode. Tetova ka paralajmëruar lojtarët që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin faullet e panevojshme në gjysmëfushën e tyre.

KUJDES NGA KUNDËRSULMI – Analiza e stafit teknik ka nxjerrë në pah edhe një tjetër rrezik, kundërsulmet e shpejta të Bylisit. Ballshiotët janë një skuadër e njohur për ritmin e lartë dhe për shfrytëzimin e çdo hapësire që u lihet. Lojtarë të shpejtë dhe me shpërthim individual në sulm mund të bëjnë diferencën në momente të caktuara. Tetova i ka kërkuar skuadrës të jetë më e ekuilibruar në daljet përpara dhe të mos humbasë strukturën kur sulmon. Ky shqetësim vjen edhe si pasojë e asaj që ndodhi me Elbasanin, ku pikërisht pas një kundërsulmi të verdhebluve, u gjetën të papërgatitur dhe pësuan gol. Pësimi, mesa duket i është bërë mësim.

APEL PËR NDËRHYRJET – Një tjetër direktivë që vjen nga pankina është ajo për të shmangur ndërhyrjet e panevojshme në zonë dhe jashtë saj. Deri tani, Egnatia ka shkaktuar dy penallti në kampionat, ndaj Vllaznisë dhe Elbasanit. Fati ka qenë me rrogozhinasit, pasi kundërshtarët i kanë humbur, por rreziku mbetet gjithmonë i madh. Ndaj, mësohet se tekniku u ka bërë apel që të jenë shumë të kujdesshëm në lojën e tyre. Ky apel synon të rrisë përgjegjësinë e mbrojtësve, por edhe të gjithë skuadrës në fazën e prapavijës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb