Pauza e shkaktuar nga ndeshjet e Kombëtares ka qenë një frymëmarrje e artë për Teutën. Stafi teknik i bluve ka shfrytëzuar këtë periudhë për të rikuperuar energjitë, për të korrigjuar detaje në lojë dhe për të forcuar aspektin psikologjik të skuadrës, në prag të sfidës vendimtare kundër Vores, në kuadër të javës së 11-të të Kategorisë Superiore.
Humbja e fundit nuk ishte ajo që pritej, por optimizmi mbizotëron në kampin durrsak, pasi ekipi duket i rikthyer në rrugën e duhur. Afrimet e reja tashmë kanë arritur formën optimale, duke i dhënë trajnerit Dobi më shumë alternativa për të përgatitur një sfidë ku ekipi duhet të tregojë qetësi dhe vendosmëri.
SEANCA INTENSIVE – Mesditën e djeshme, Teuta zhvilloi një seancë stërvitore me ritëm të lartë në kushte optimale atmosferike. Lojtarët punuan fillimisht me përgatitësit atletikë dhe më pas me topin, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë aspekteve tekniko-taktike, si në fazën ofensive ashtu edhe në atë mbrojtëse.
Trajneri Dobi kërkon që skuadra të rikthehet tek ecuria pozitive dhe të tregojë një paraqitje solide ndaj Vorës. Qëllimi është i qartë: të sigurohen tri pikët në transfertë dhe të nisë me këmbë të mbarë pjesa e mbetur e kampionatit.
