Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama se sistemi duhet të jetë në gjendje të “korrigjojë veten”, duke e cilësuar këtë qasje si një tallje me qytetarët.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi akuzon kryeministrin se po e paraqet korrupsionin dhe abuzimin si pjesë të zakonshme të qeverisjes, ndërsa thekson se lufta ndaj korrupsionit duhet të nisë nga vetë ekzekutivi.
Sipas tij, një qeveri me integritet duhet të garantojë transparencë, auditim dhe zbatim të ligjit, ndërsa drejtësia duhet të trajtojë rastet kur qeveria dështon në përmbushjen e detyrës. Megjithatë, Këlliçi pretendon se në rastin e qeverisë Rama nuk bëhet fjalë thjesht për dështime, por për përfshirje të vetëdijshme në praktika të paligjshme.
Më tej, deputeti demokrat e cilëson sistemin aktual si të korruptuar në themel dhe shprehet se ai nuk mund të korrigjohet nga brenda. Në përfundim, ai kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme për ndryshimin e situatës.
Postimi i plotë:
Teza tallëse e Edi Ramës për sistemin që korrigjon veten!
Teza e Edi Ramës se sistemi duhet të korrigjojë korrupsionin është një tallje e rëndë me qytetarët. Ai po thotë se nuk mund dhe nuk di të jetë ndryshe, se qeverisja e tij prodhon vetëm skandale dhe afera, madje duket sikur pohon se kjo është detyra e tij.
Dhe më tej duhet të merret drejtësia. Edi Rama e normalizon abuzimin dhe hajdutërinë si sjellje natyrale. Ndërkohë që është pikërisht qeveria e para që lufton korrupsionin. Duke rritur transparencën, auditimin, garancitë e zbatimit të ligjit e duke ndërhyrë te pikat e dobëta të procedurave. Këtë bën një ekzekutiv me integritet. Kjo është masa e parë e madhe për të ruajtur taksat e qytetarëve.
Drejtësia trajton rastet kur qeveria dështon ta bëjë detyrën.
Por me Edi Ramën kemi të bëjmë jo me dështime, por me përfshirje me vetëdije të plotë në favorizime, trafik influence, abuzim, shpërdorim, prishje të barazisë dhe konkurencës.
Është e gjitha një korrupsion i paramenduar. Vjen erë çdo akt, çdo vendim, çdo firmë që hidhet. Në këto kushte, me këtë mendësi agresive për të vjedhur, s’ka drejtësi që bën derman edhe sikur të ishte e pavarur.
Sistemi është i kalbur në themel, me qëllim, s’ka si të korrigjohet.
E vetmja rrugë, e vetmja zgjidhje është largimi i atij që e krijoi dhe e rriti këtë sistem. Largimi i Edi Ramës!
