Një grup psikiatrish që janë duke punuar me Parlamentin Britanik kanë këshilluar se deputetët kanë nevojë për mbrojtje më të madhe pas një studimi të gjerë që ka zbuluar se katër nga pesë prej tyre kanë qenë viktima të sjelljes së bezdisshme apo agresive, dhe 36 prej tyre kanë frikë të dalin në publik.

Një sërë martesash janë prishur, deputetë të shumtë janë detyruar të marrin pushim nga puna, dhjetëra tjerë kanë vizituar profesionistë shëndetësorë dhe disa të tjerë janë vizituar nga terapeutë apo janë nën medikamente për ankthe apo depresion si pasojë e përvojave që kanë pasur me pjesëtarë të publikut, thotë studimi.

“Një deputet ka përshkruar se si martesa e tij ka qenë pranë shkatërrimit, derisa bashkëshortja e tij e ka fajësuar atë për lidhje të vazhdueshme dashurie me një femër”, thekson studimi i publikuar nga “The Guardian”.

“Një deputete ka përshkruar se si ajo është dashur ta dërgojë burrin e saj jashtë për të kontrolluar rrugën sa herë që ka dalë nga dera e shtëpisë. Ajo është përballur me sulme paniku disa herë brenda ditës, e madje edhe në Ndërtesën e Parlamentit, duke çuar kështu në një ‘jetë të çmendur’”, shkruan “Koha”.

Shtatë psikiatër kanë kryer këtë hulumtim, duke përfshi edhe Dr David James, themeluesin e qendrës “Fixated Threat Assessment”, një njësit ky që vlerëson rreziqet ndaj individëve të profileve të larta, përfshi familjen mbretërore, në emër të Policisë Britanike (Scotland Yard), të Home Office-it dhe të Departamentit të Shëndetësisë.

Studimi, i përkrahur nga parlamenti dhe nga Home Office, zbuloi se 192 nga 239 të anketuarit kanë përjetuar sjellje të bezdisshme apo agresive. Në gjysmën e këtyre rasteve, ata thonë të jenë sulmuar në shtëpitë e tyre.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: