Numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor ka arritur në 5,278, sipas bilancit më të fundit zyrtar të publikuar të hënën nga presidenti i Parlamentit, Jorge Rodríguez.

Autoritetet raportuan edhe 70 viktima të tjera gjatë 24 orëve të fundit, më shumë se tre javë pas dy tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, të cilët shkaktuan dëme të mëdha, veçanërisht në shtetin bregdetar La Guaira, pranë kryeqytetit Caracas.

Bilanci i mëparshëm, i publikuar të shtunën, fliste për 5,208 të vdekur, ndërsa numri i të plagosurve mbetet 16,740.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në La Guaira, ku ekipet ende po përpiqen të nxjerrin viktima nga rrënojat e ndërtesave të shembura. Ndërkohë, mbi 23,000 persona të mbetur pa strehë vazhdojnë të jetojnë në më shumë se 100 kampe të përkohshme.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, njoftoi se deri në fund të muajit dhjetor do t’u dorëzohen banesa të reja 4,000 familjeve të prekura nga katastrofa. Sipas saj, shpërndarja e banesave do të bëhet çdo muaj.

Gjatë një ceremonie të transmetuar në televizion, Rodríguez bëri të ditur se rreth 200 familje kanë marrë tashmë apartamente në një kompleks banesash sociale, duke e cilësuar këtë si një moment shprese mes dhimbjes së shkaktuar nga katastrofa.

Ajo premtoi gjithashtu se deri në vitin 2027 do të ndërtohen dhe dorëzohen mbi 10,000 banesa të reja. Megjithatë, sipas vlerësimeve zyrtare, vendit do t’i nevojiten rreth 25,000 banesa për të strehuar të gjithë personat që humbën shtëpitë nga tërmetet.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 856 ndërtesa janë dëmtuar, ndërsa 190 prej tyre janë shembur plotësisht.

Autoritetet nuk kanë publikuar ende një shifër zyrtare për personat e zhdukur. Menjëherë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara vlerësuan se numri i tyre mund të arrinte deri në 50,000, ndërsa vlerësime të tjera e vendosin këtë shifër pranë 10,000.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: