Politologu Ermal Hasimja ka ndarë një episod interesant nga periudha e qeverisjes së Partisë Demokratike, duke hedhur dritë mbi mënyrën sesi ish-kryeministri Sali Berisha hartonte kabinetet qeveritare.
I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Hasimja tregoi se Berisha kishte një qasje të veçantë ndaj formimit të qeverisë, duke përdorur median si një mjet për të matur reagimet e publikut dhe të aktorëve të ndryshëm politikë.
“Berisha thërriste njerëz që kishte besim, nuk po i them emrat. Diskutonte me ta skenarët e ndryshëm dhe më pas ftonte gazetarë, kryeredaktorë ose drejtorë gazetash dhe u thoshte: ‘Nxirre nesër këtë listë’”, u shpreh Hasimja.
Sipas tij, ish-kryeministri e përsëriste këtë praktikë disa herë, duke nxjerrë lista “ekskluzive” të përbërjes së mundshme të kabinetit të ri, me qëllimin për të testuar reagimet në publik dhe në skenën politike.
“Dilte nesër një listë në gazeta, ‘ja qeveria e Berishës’, dhe ai shihte reagimet. E bënte këtë lojë 2-3 herë dhe në fund vendoste në momentin përfundimtar,” shtoi politologu.
Hasimja theksoi gjithashtu se Berisha bënte shumë llogari përpara se të merrte vendimet përfundimtare dhe përpiqej të ruante një lloj ekuilibri politik dhe institucional, në dallim nga mënyra se si, sipas tij, vepron Edi Rama sot.
“Bënte shumë llogari dhe përpiqej të ruante ekuilibrat, në krahasim me Ramën që qeverinë e vendos pa shumë konsultime dhe shpesh në mënyrë të njëanshme,” u shpreh ai.
