Një 22-vjeçar në Velipojë ka përfunduar në pranga pasi u kap duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe duke u marrë me aktivitet kriminal.
Policia bëri të ditur se në bazë të informacioneve operative, u organizua një aksion për kapjen e shtetasit Flavio Gropaj, banues në fshatin Pulaj, i cili, megjithëse ishte me masë sigurie nga Gjykata e Shkodrës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dilte nga banesa dhe shiste lëndë narkotike në doza.
22-vjeçari u ndalua teksa qarkullonte me automjet. Gjatë kontrollit, në makinën dhe banesën e tij u gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak si dhe sasi droge e ndarë në doza të gatshme për shitje. Të gjitha u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin që përdorte.
Në përfundim të veprimeve, i riu u arrestua në flagrancë dhe do të hetohet për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Dosja iu referua Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.
