Pamjet që shihni tregojnë tentativën e grabitjes së filialit të bankës dje në zonën e Unazës së Re, ku një i ri sulmoi godinën. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb pamjet ku shihet se Enrik Ismalaj kishte tentuar që të thyente xhamat e bankës, me tulla dhe më pas të kryente aktin e vjedhjes. Siç shihet nga pamjet, një prej xhamave është thyer dhe tjetri ka marrë dëmtime të mëdha. Kaq mjaftoi që të sinjalizohej policia, e cila bëri të mundur dhe arrestimin e 23-vjeçarit në flagrancë.

NJOFTIMI I POLICISE
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari që tentoi të vidhte në një filial banke, në Unazë të Re.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe më informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas, në rrugën “Teodor Keko”, në Unazë të Re, po tentonte të vidhte në një filial banke, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Si rezultat i punës së mirëorganizuar është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Teodor Keko”, shtetasi E. I., në tentativë për të vjedhur në një filial banke. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. I., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, mbetur në tentativë, dhe “Shkatërrimi i pronës”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb