Presidenti francez mbajti dje plot pas shtatë vitesh dhe nga i njëjti vend, nga Sorbona, fjalimin e tij të dytë programatik se ku ndodhet dhe ku duhet të shkojë Europa. Pasi numëroi disa nga sukseset që ka arritur BE-ja në këto 7 vite siç janë krijimi i një borxhi të përbashkët europian, blerja kolektive europiane e vaksinave për COVID-in, caktimi i kufijve të BE-së që duhet të përfshijë Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë, Macron predikoi për mbi dy orë fjalim nevojën që “BE-ja të fusë tani marshin e pestë“. Përndryshe, theksoi presidenti francez duke perifrazuar një autor të famshëm të periudhës se midis dy luftërave botërore, Pol Valeri, “Europa si civilizim mund të vdesë”.

Sipas Macron, europianët duhet të ndërgjegjësohen se ata po ndërrojnë epokë. Ka marrë fund sipas tij rehatia ku kishin rënë prej vitesh dhe që konsistonte në tre “lukse”: “Një Europë që e blinte energjinë lirë nga Rusia, kishte një treg të madh si Kina ku prodhonte lirë, dhe mbrohej nga amerikanët”. Kjo epokë sipas Macronit ka marrë fund dhe një epokë e re është hapur me tre sfida madhore, në fushën e sigurisë, në fushën e ekonomisë dhe në atë të civilizimit dhe kulturës.

Sfida e sigurisë: mbrojtja dhe imigracioni
Në fushën e gjeopolitikës dhe të sigurisë presidenti francez bën tre konstatime që kanë bërë sipas tij që po ndryshojmë epokë. Së pari, sipas Macron, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tani vetëm dy përparësi. Që janë vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo është më se normale, dhe pastaj vjen për ta dosja e Kinës. Çështjet europiane nuk janë më një përparësi gjeopolitike për SHBA-të për vitet dhe dekadat e ardhshme, pavarësisht se sa e fortë është aleanca jonë me ta dhe paçka sa me fat jemi këto kohë me një administratë amerikane që është shumë e angazhuar për të ndihmuar në konfliktin ukrainas”.

Në këtë pikë Macron propozon disa iniciativa. Prodhim europian armatimesh që Europa të mos varet më nga SHBA-të. Macron është për “një kredi të re europiane” si në kohën e COVID-it, kësaj here për të forcuar arsenalin ushtarak të BE-së.

Sipas Macron, “nuk mund të ketë mbrojtje pa një industri të mbrojtjes”. Presidenti francez kërkon jo vetëm që të prodhohet në Europë por që njëkohësisht të vendoset parimi i preferencës europiane në blerjen e pajisjeve ushtarake. Ai jep një shifër: në ndihmën ushtarake që BE-ja i jep Ukrainës, tre të katërtat e fondeve europiane jane përdorur për të blerë armatime jo-evropiane nga SHBA-të, biles dhe nga Koreja e Jugut. Por nëse prodhojmë në Europë, duhet një standardizim nënvizon Macron në mënyrë që mos të kemi topa dhe predha me standarde sipas çdo vendi anëtar të BE-së gjë që e zbeh forcën e një mbrojtje kolektive.

Macron propozon po ashtu, duke mbështetur një propozim gjerman, që të krijohet një mburojë anti-raketore europiane, pra që të përfshijë gjithë territorin e BE-së. Ai propozon krijimin e një akademie ushtarake të përbashkët europiane si dhe krijimin e një force ushtarake europiane të ndërhyrjes së shpejtë.

Për t’u dalluar edhe më shumë nga SHBA-të, Macron predikon një autonomi të europianëve edhe në krijim partneritetesh sigurie me vende të tjera pa kaluar nga SHBA-të: “Ne duhet të vazhdojmë të kemi partneritete me vendet e treta, pra për të ndërtuar një Europë të aftë për të treguar se nuk është kurrë një vasal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se di gjithashtu të flasë me të gjitha rajonet e botës, me vendet në zhvillim, me Afrikën dhe me Amerikën Latine”.

Konstatimi tjetër i Macron është se për herë të parë në historinë e Europës lufta ka ndryshuar rregulla loje: “Ajo po zhvillohet në kontinentin europian nga një fuqi bërthamore siç është Rusia”. “Kjo sfidë e panjohur më parë i ka kapur europianët në befasi”. Për këtë Macron propozon ose lë të kuptohet se bomba berthamore franceze shërben edhe si çadër për vendet anëtare të BE-së.

Ja si u shpreh ai mbi këtë pikë të ndjeshme strategjike:

“Në muajt e ardhshëm, do t’i ftoj të gjithë partnerët e mi europianë të ndërtojnë këtë nismë europiane të mbrojtjes… Franca do të luajë rolin e saj si ushtria më efektive në kontinent, dhe që jemi gjithashtu të pajisur me armë bërthamore. Fuqia parandaluese që na jep arma bërthamore është në qendër të strategjisë së mbrojtjes së Francës dhe është një element thelbësor në mbrojtjen e kontinentit europian. Falë kësaj mbrojtje të besueshme, ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë garancitë e sigurisë që të gjithë partnerët tanë presin në Europë”.

“Ne jemi në një pikë kthese“, vazhdoi Emmanuel Macron, “që na ka kapur në një moment kur “nuk jemi të armatosur për të përballuar këto rreziqe të reja“. “Ne kemi filluar një zgjim”, beson presidenti francez. “Vetë Franca ka dyfishuar buxhetin e saj të mbrojtjes. (…) Por, në një shkallë kontinentale, ky zgjim është ende i ngadalshëm, tepër i dobët përballë riarmatimit të përgjithshëm të botës”.

Emmanuel Macron pohoi se “Europa është në një situatë rrethimi nga fuqi të shfrenuara si Rusia dhe Irani për të përmendur vetëm ato”. Konstatimi i tretë në fushën e sigurisë lidhet me emigracionin në masë që po bëhet një kërcënim serioz për vendet e BE-së. Por Macron, pa e përmendur Italinë apo Britaninë e Madhe, nuk beson aspak te zgjidhja që ka gjetur Meloni me transferim të një pjese të emigrantëve në Shqipëri, ndonëse nuk e përmend me emër fqinjin e vet.

Unë nuk besoj në modelin që po na propozohet sot, i cili konsiston në gjetjen e vendeve të treta në kontinentin afrikan apo gjetkë, ku do të çohen njerëz që vijnë tek ne në mënyrë të paligjshme. Ne po krijojmë në këtë mënyrë një gjeopolitikë cinizmi që tradhton vlerat tona dhe që do të jetë krejtësisht e paefektshme”.

Në fushën e emigracionit klandestin, zgjidhja sipas Macronit është kthimi mbrapsht i emigrantëve të parregullt në vendet e tyre të origjinës duke kushtëzuar me këto vende dhënien e vizave për në Europë dhe ndihmën ekonomike me pranimin nga ana e tyre të shtetasve të tyre që qëndrojneëilegalisht në vendet e BE-së.

Sfida ekonomike përballë mosrespektimit të rregullave të lojës nga SHBA-të dhe Kina
Për Macron, Europa rrezikon të varfërohet si pasojë e naivitetit të saj përballë SHBA-ve dhe Kinës duke dashur të respektojë rregullat e lojës tregtare kur këto fuqi nuk i respektojnë më ato. Macron vëren se Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë u rrit në SHBA me gati 60% midis viteve ’93 dhe 2022, ndërsa në Europë kjo rritje ka qenë më pak se 30%. Politika amerikane me “Aktin e Reduktimit të Inflacionit” përbën një politikë tregtare agresive ndaj Europës sipas Macron, sepse ajo subvencionon kompanitë amerikane dhe tërheq në territorin amerikan kompanitë europiane. Më Kinën, Europa po ashtu u tregua naive sipas Macron duke e pranuar atë në Organizatën Botërore të Tregtisë me shpresën se Kina do të ndiqte rregullat tona për tregti të ndershme por ndodhi e kundërta.

“Dy fuqitë kryesore ndërkombëtare kanë vendosur të mos respektojnë më rregullat tregtare”, përsëriti shpeshherë Macron në fjalimin e tij duke shtuar se në Europë “ne i vëmë vetes tepër rregulla, investojmë shumë pak, dhe jemi shumë të hapur për eksportet nga fuqitë e tjera”. “Ne kemi shpikur një kontinent që i kufizon prodhuesit e tij në tokën e tyre, por kemi hequr kufizimet për rivalët tanë ekonomikë”, këmbënguli presidenti francez.

Sipas Macron, BE-ja ka një nivel shumë të lartë kursimesh të individëve nëpër banka por ato nuk përdoren në të mirë të ekonomisë europiane. “Çdo vit, kursimet tona në Europë, në masën rreth 300 miliardë euro shkojnë për të financuar amerikanët me bono thesari apo në kompani investimesh kapital – risku”.

Sipas tij, është çmenduri që këto kapitale nuk qëndrojnë në Europë për shkak se rregullat europiane e kufizojnë tej mase investimin në kapital – risk. “75% e investimeve financiare në Europë bëhen nëpërmjet bankave dhe kompanive të sigurimeve mbi të cilat kemi vënë rregulla që nuk i lejojnë ato të përdorin kapitalin për investime me rrezik, ndryshe nga ç’ndodh në SHBA”, u ankua Macron duke shtuar se nevojitet një rishikim i rregullave të “Bazel-it” që i kufizojnë bankat europiane në marrjen e rreziqeve në investime.

“Ne nuk mund të jemi e vetmja zonë ekonomike në botë që i aplikon këto rregulla“, tha Macron duke shtuar se “amerikanët, të cilët ishin burimi i krizës financiare 2008-2010, zgjodhën të mos i aplikojnë ato për bankat e tyre”. “Nuk jam në favor të kthimit në një kulture të papërgjegjshmërisë financiare“, tha Macron, por kursimet e europianëve duhet të përdoren për ekonominë europiane, në kërkim, në inovacion, në startup-e. “Tani është koha për të ndaluar mbi-rregullimin, për të rritur investimet, për të ndryshuar rregullat tona dhe për të mbrojtur më mirë interesat tona“, tha Macron i cili dha një tjetër shifër dekurajuese për Europën. “Ne kemi vetëm 3% të kapacitetit kompjuterik në botë. Imagjinoni, ne europianët, 3%. Duhet të arrijmë në të paktën 20% deri në 2030-2035 nëse duam të jemi lojtarë të besueshëm në informatikë”.

Macron bëri thirrje që Europa të jetë lideri botëror deri në vitin 2030 në pesë nga sektorët më strategjikë siç janë inteligjenca artificiale, llogaritja kuantike, hapësira, bioteknologjitë dhe energjitë e reja. Sipas Macon, Europa duhet të rishikojë tërësisht strategjinë e saj ekonomike duke vendosur preferencën evropiane në këta sektorë strategjikë, siç po e bëjnë amerikanët apo kinezët. “Kam parë shumë start-up amerikane, të cilat thuhet se janë fryti i vetëm i gjenive spontanë sipërmarrës amerikanë, por në fakt ato janë subvencionuar masivisht nga qeveria amerikane. Le të bëjmë dhe në të njëjtën gjë në Europë“, tha Macron.

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo shumë vende të tjera, Europa është e varfër në lëndë djegëse fosile, sipas Macron, i cili sheh tek energjia pa karbon e prodhuar në Europë çelësin për sovranitetin e Europës dhe krijimit të vendeve të punës. Për të siguruar pavarësinë e saj, Europa duhet të investojë në energjinë bërthamore, te hidrogjeni, tek gjysmë-përçuesit dhe bateritë elektrike sipas Macron që parashikon plotësimin e 100% të nevojave për bateri në vitin 2030 të mbuluara nga prodhimi europian. Por sipas Macron nevojitet krijimi i tregut të përbashkët europian të elektricitetit që nuk ekziston akoma ashtu siç nuk ka përfunduar ende krijimi i një tregu të përbashkët europian në telekomunikacione dhe shërbimet financiare. Së fundmi, në lëmin ekonomik, Macron insistoi gjatë fjalimit të tij për nevojën për thjeshtim të rregullave në Europë. “Duhet t’i japim fund Europës së komplikuar që u shkakton kompanive tona disavantazhe konkurruese në krahasim me konkurrentët e tyre jo-europianë”, tha Macron me tone anti-burokracisë europiane. “Ne kemi një forcë që pak të tjerë në botë e kanë”, përfundoi Macron, “dhe ky është tregu ynë i brendshëm me 450 milionë konsumatorë”.

Mbrojtja e “humanizmit” europian
Përballë kërcënimeve që rëndojnë në botë mbi “vlerat” europiane, Emanuel Macron dëshiron të mbrojë modelin e nje shoqërie që “na dallon nga të tjerët”. “Ne kujtonim“, pohoi Macron, se modeli ynë ishte i parezistueshëm, se demokracia po përhapej, se të drejtat e njeriut po përparonin në botë, se soft-power-i europian ishte triumfues. “Por le t’i shohim gjërat qartë. Demokracia jonë liberale kritikohet gjithnjë e më shumë, me argumente të rreme, me një formë përmbysje vlerash. Vlerat tona, kultura jonë europiane janë të kërcënuara”.

Macron propozon një seri masash. Që nga lehtësimi i lëvizjes me tren të të rinjve në mbarë Europën, në krijimin e partneriteteve midis muzeve dhe bibliotekave e deri në dy propozime tepër konkrete.

Së pari, pas përfshirjes së abortit në Kushtetutën franceze, kreu i shtetit francez kërkon tani që aborti të figurojë në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian.

Së dyti, për të mbrojtur adoleshentët nga efektet e dëmshme të hapësirës dixhitale ku sulmohen rregullisht vlerat demokratike dhe ato te civilizimit europian, Macron propozon që të rinjtë nën 15 vjeç, duhet të kene akses në hapësirën dixhitale vetëm me leje të prindërve. “A e dërgon dikush fëmijën e tij 5 vjeç, 10 vjeç, 12 vjeç në xhungël? Askush, mendoj. Dhe e njëjta gjë është në cyber-hapësirën. Para moshës 15 vjeç, duhet të ketë kontroll prindëror që të evitohet shtrembërimi i mendjes dhe ushqimi i urrejtjes që në moshë të re. Ndaj ne duhet të marrim përsëri kontrollin e jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve tanë si europianë dhe të imponojmë moshën dixhitale vetëm 15 vjeç e sipër”.

Së fundmi, Macron konstaton se europianët nuk prodhojnë përmbajtje të mjaftueshme në internet e cila është hapësira ku ne kalojmë pjesën më të madhe të kohën sonë në jetën e përditshme. Andaj për Macron, ne europianët duhet ta ri-civilizojmë këtë hapësirë dixhitale për të mos lejuar aty siç nuk e lejojmë në jetën e përditshme të folurën raciste, antisemite, dhe gjuhën e urrejtjes në përgjithësi. “Është një luftë për qytetërimin dhe demokracinë” e cilësoi Macron përpjekjen që duhet të bëjnë europianët për të vendosur sado pak rregull në hapesirën dixhitale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb