Rreth 35,000 fëmijë ukrainas janë ende të zhdukur dhe besohet se mbahen në territore të kontrolluara nga Rusia ose brenda vetë Rusisë, sipas një ekipi amerikan të ekspertëve nga Universiteti Yale. Familjet ukrainase, të dëshpëruara dhe të pambrojtura, po ndërmarrin hapa të rrezikshëm për të shpëtuar fëmijët e tyre.
Që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, shumë fëmijë janë rrëmbyer nga shtëpitë e përkujdesjes, zonat e luftës pas vdekjes së prindërve, ose janë marrë me forcë nga familjet e tyre. Moska ka refuzuar çdo kërkesë për kthimin e tyre, duke akuzuar Kievin se po “sajon një shfaqje” për fëmijët e humbur gjatë bisedimeve të fundit për armëpushim në Turqi.
Një nënë ukrainase, Natalia, i tregoi “The Guardian” historinë e shpëtimit dramatik të dy djemve të saj adoleshentë që mbaheshin për gati gjashtë muaj në një kamp në qytetin Anapa të Rusisë. Pasi Khersoni u pushtua nga forcat ruse në shtator 2022, një fqinj e këshilloi ta dërgonte fëmijët në një kamp veror rus që supozohej të zgjaste 21 ditë. Ata nuk u kthyen kurrë.
Pas çlirimit të Khersonit nga trupat ukrainase, Natalia nuk mund t’i kthente fëmijët, pasi autoritetet e kampit nuk lejonin lirimin e tyre pa praninë fizike të saj. E ndihmuar nga një organizatë ukrainase, ajo udhëtoi vetëm drejt Anapas, duke kaluar shumë pika kontrolli ruse dhe rreziqe lufte, derisa u ribashkua me fëmijët e saj në shkurt 2023. “Nuk mund të përshkruaj emocionet… fëmijët e mi janë gjithçka që kam,” tha ajo.
Sipas organizatës ukrainase Bring Kids Back, deri më tani vetëm 1,366 fëmijë janë kthyer ose kanë arritur të shpëtojnë. Një raport nga Universiteti Yale vlerëson se dhjetëra mijëra mund të jenë transferuar në kampe ushtarake, jetimore ose janë birësuar nga familje ruse.
Nathaniel Raymond, drejtor i Humanitarian Research Lab në Yale, e përshkruan këtë si “ndoshta rrëmbimi më i madh i fëmijëve në kohë lufte që nga Lufta e Dytë Botërore – i krahasueshëm me gjermanizimin e fëmijëve polakë nga nazistët.”
Dëshmitë e fëmijëve të shpëtuar zbulojnë se ata janë trajnuar ushtarakisht, janë detyruar të këndojnë himnin rus dhe janë ndëshkuar për përdorimin e gjuhës ukrainase. “Na detyronin të vizatonim flamurin rus,” tregoi një fëmijë 9-vjeçar.
Daria Kasyanova, drejtuesja e Rrjetit për të Drejtat e Fëmijëve në Ukrainë, shprehet se shumë fëmijë janë mashtruar ose detyruar të pranojnë përkujdesje në Rusi, ndërsa rreziku që ata të humbasin përgjithmonë ekziston. “Nëse njëri prind është në Ukrainë dhe tjetri me fëmijën në zonë të pushtuar, nëse ai prind arrestohet apo vritet, fëmija përfundon në jetimore. Dhe pastaj është pothuajse e pamundur të kthehet,” thotë ajo.
Ndryshime të fundit në ligjin rus i lejojnë qytetarët rusë të birësojnë fëmijë ukrainas, çka e bën situatën edhe më alarmante.
Gjykata Penale Ndërkombëtare, në mars 2023, lëshoi urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe komisioneres për të drejtat e fëmijëve Maria Lvova-Belova, duke i akuzuar për krime lufte për “deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas.”
Kthimi i fëmijëve është kthyer në një kërkesë kyçe të Ukrainës në çdo proces negociatash për paqe. Aktivistja Ksenia nga organizata “Helping to Leave” thekson: “Po diskutojmë për territore – por fëmijët tanë janë territoret tona. Ata janë ukrainas. Rusia nuk ka asnjë të drejtë mbi ta.”
Ekspertët thonë se Rusia po i përdor fëmijët si mjet presioni politik, ndërsa përpiqet t’i “rusifikojë” ata në mungesë të fitoreve ushtarake. “Marrja e një fëmije nga një grup etnik apo kombëtar dhe shndërrimi i tij në pjesë të një grupi tjetër – kjo është një krim lufte,” thekson Raymond.
