TIRANE – Kryebashkiaku Veliaj, ishte zëri i parë nga maxhoranca i cili reagoi në lidhje me vendimin e Presidentit Ilir Meta, i cili ktheu sot për rishqyrtim në parlament ligjin për shembjen e teatrit kombëtar. Por ndërsa shprehet i vendosur në zbatimin e këtij projekti, dhe besim plotë për votimin e ligjit në shtator me nisjen e punimeve të Kuvendit, kryebashkiaku nuk lë pa shigjetuar në reagimin e tij, kreun e shtetit Ilir Meta.

‘ Kthimi nga Presidenti i Ligjit që do t’i jepte Tiranës tonë një Teatër të Ri, modern, i projektuar nga një prej arkitektëve më në zë të gjeneratës sonë, ishte një zhgënjim! Jo sepse Presidentët, në të kaluarën, nuk janë bërë palë me partitë politike për të kundërshtuar projekte si ai i Këndit të Lodrave te Liqeni, por sepse mendova se pas 3 vitesh progres në qytetin tonë, me një Shesh të Ri, një Bulevard të Ri, një Pazar të Ri e një Unazë të Re, e kishim tejkaluar kohën e sabotimeve të qytetit dhe se ishte krijuar pjekuria për të dalë mbi partitë e mbi familjet politike në vend. – shkruan Veliaj në reagimin e tij, për t’ju referuar kundërshtive të hapura edhe nga LSI, parti e themeluar nga Ilir Meta, e cila aktualisht drejtohet nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Në këndvështrimin e kryebashkiakut, vendimi i sotëm solli një dobi, sepse ndau qartazi palët në Tiranë, në ata që duan dhe nuk duan zhvillimin e kryeqytetit.

Vetëm pak ditë më parë kreu i shtetit Ilir Meta, dhe kryebashkiaku Veliaj u shfaqën krah njëri tjetrit, ku ky i fundit ishte sërish i pari i cili iu përgjigj thirrjes për dhurimin vullnetar të gjakut, e ku në një prononcim për mediat u shpreh besimplotë në vendimin e Presidentit, madje duke kujtuar edhe shprehjen e tij me ‘qetësi e dashuri’ …

( Balkanweb )

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb