Dy persona me precedentë të theksuar penalë për vjedhje janë arrestuar në flagrancë në Vlorë, pasi u kapën duke tentuar të hynin në një banesë për të kryer vjedhje, ndërkohë që ishin nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Operacioni policor i koduar “Again”, i organizuar nga Komisariati i Policisë Vlorë mbi bazën e informacioneve operative, çoi në prangosjen e shtetasve A. G., 48 vjeç dhe A. H., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Sipas Policisë, të dy u kapën në lagjen “Bashkimi”, në momentin kur, me pajisje të posaçme, po tentonin të hapnin derën e një banese me qëllim vjedhjen.

Nga verifikimet rezultoi se të arrestuarit kishin shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e vendosur ndaj tyre pikërisht për veprën penale të vjedhjes, dhe ishin zhvendosur nga Tirana në Vlorë për të vijuar aktivitetin kriminal.

Gjatë operacionit, Policia sekuestroi pajisje të posaçme për hapjen e bravave dhe kasafortave, një automjet tip “Mercedes-Benz” që përdorej nga autorët, si dhe dy telefona celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: