Kryeministri Edi Rama ka nisur episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ku deklaroi se plani për shpërndarjen e dëmshpërblimeve për familjet e prekura nga përmbytjet është tashmë gati dhe se qeveria do të qëndrojë pranë çdo qytetari të goditur nga fatkeqësitë natyrore.
Kreu i qeverisë nënvizoi se puna e institucioneve nuk përfundon me përmirësimin e kushteve të motit, por do të vijojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe kompensimin e plotë të familjeve të prekura. Ai bëri me dije se ekipet e verifikimit janë në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur tashmë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit.
Duke iu referuar së kaluarës, kryeministri kujtoi borxhet e trashëguara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës, të cilat sipas tij u shlyen plotësisht nga qeveria aktuale.
“Ne erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që nuk i lë vetëm njerëzit e saj. Kurrë më!”, përfundoi Rama.
“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm Kjo është motoja ime dhe e jona sa herë fatkeqësi të ndryshme godasin vendin e njerëzit, që nga tërmeti shkatërrues i mijëra e mijëra shtëpive e deri tek sikleti rrënues i një familjeje të goditur nga uji, zjarri apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër.
Dhe dua t’u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë.
Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve.
E mos harroni, kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës.
Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më!”, tha ai.
