Kupa e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar i mbajtur pas 14 vitesh mungesë, shkoi për filmin e Gentian Koçit, “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”. Prodhimi i vitit 2022, është një dramë psikologjike, që ka në qendër dy vëllezër që nuk dëgjojnë e nuk flasin, që përballen me sfidën e humbjes së një tjetër shqise.
Regjisori Gentian Koçi, foli me përkushtim për punën e bërë me filmin, xhirimi i të cilit përkoi me pandeminë.
Festivali kombëtar që u mbajt nga data 3 deri në 12 shtator, shfaqi 100 filma të prodhuar në 13 vite. Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, juria e përbërë nga Blerta Zeqiri, Bogdan Muresanu, Rajmonda Bulku, Ylljet Aliçka dhe Haig Zacharian, shpërndau disa prej çmimeve kryesore. Gjatë mbrëmjes, muzika e filmave shqiptarë u luajt nga orkestra e RTSH, ndërsa nuk munguan interpretime nga aktorët e njohur Arben Bajraktaraj e Ema Andrea.
Vlerësim morën regjisori Florenc Papas, për filmin “Derë e Hapur”, film që u vlerësua edhe për fotografinë më të mirë nga Sevdije Kastrati.
Si aktori dhe aktorja më e mirë u vlerësuan Blerim Destani që nuk ishte i pranishëm dhe Adriana Matoshi që shprehu mirënjohjen e saj, kur tha se “ çmimin po e marr në Prishtinë, por kujtimet më të mirat po i le në Tiranë”.
Çmimi për Skenarin më të Mirë i shkoi filmit të regjisorit Gjergj Xhuvani, për “Liqeni im”, prodhimi i fundit kinematografik i tij para se të ndahej nga jeta. Në skenë u ngjit e bija e cila tha se ishte lumturi të marrë një çmim në emër të të atit.
Një moment i veçantë ishte Çmimi i Karrierës për Tinka Kurtin, që u bë pjesë e natës finale të festivalit dhe ngriti në këmbë publiku që duartrokiti për disa minuta. “Jam shumë e emocionuar që jam këtu”, tha Kurti, në të 90-at e saj, ndërsa puthi kupën duke ngritur peshë sallën.
Me 31 çmime në total, çmime pati për dokumentarin e Suela Bakos, Yllka Gjolleshës e Mevlan Shanajt, ndërsa veç jurisë, 15 çmime u dhanë nga Akademia e 5 të tjera nga publiku, ku u vlerësuan Andamion Murataj, Pluton Vasi, Artur Dauti, Ardit Vila,etj.
LISTA E ÇMIMEVE
Fituesit e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, Edicioni i 14-të.
ÇMIMET E JURISË PËR FILMIN E GJATË ARTISTIK
Filmi më i Mirë i Gjatë i Karrierës
NJË FILXHAN KAFE DHE KËPUCË TË REJA VESHUR, Gentian Koçi
Filmi më i Mirë i Gjatë / Vepër e Parë
DERË E HAPUR, Florenc Papas
Çmimi për Skenarin më të Mirë
Gjergj Xhuvani, LIQENI IM
Çmimi për Drejtorin më të Mirë të Fotografisë
Sevdije Kastrati, DERË E HAPUR
Çmimi për Muzikën më të Mirë
Endri Sina, BOLERO NË VILËN E PLEQVE
Çmimi për Producentin më të Mirë
Rozeta Feri, AMSTERDAM EXPRESS
Çmimi për Aktoren më të Mirë
Adriana Matoshi, LUNA PARK
Çmimi për Aktorin më të Mirë
Blerim Destani, AMSTERDAM EXPRESS
Çmimi për filmin më të mirë të Shkurtër
KAMPION, Ermir Keta
Special Mention: LAJMI, Lorin Terezi
Çmimi për filmin më të mirë Dokumentar
DRITË, Suela Bako, Yllka Gjollesha
Çmimi për filmin më të mirë të Animuar
ETHNOPHOBIA, Joan Zhonga
Fituesit e Çmimeve të Publikut në Festivalin Kombëtar të Filmit Shqiptar, Edicioni i 14-të.
Filmi më i Mirë i Gjatë i Karrierës
KËTU VALLËZOHET ME YJET, Pluton Vasi
Filmi më i Mirë Vepër e Parë
BURRI I SHTËPISË, Andamion Murataj
Filmi më i Mirë i Shkurtër
SI UJE, Ardit Vila
Filmi më i Mirë Dokumentar
RIKARD, Mevlan Shanaj
Filmi më i Mirë i Animuar
BURRI, Artur Dauti
