Analisti Fatos Lubonja e ka quajtur në News24 një situatë tipike shqiptare rrëzimin e qeverisë në Kosovë.

Sipas tij Albin Kurti u rrëzua nga klasa politike që qeveris për 20 vite pasi shihej si pengesë. Lubonja në këtë mes del të fituar Hashim Thaçin i cili mund të jetë negociatori i marrëveshjes për shkëmbimin e territoreve.

Po ashtu Lubonja shprehet i sigurt se nuk do të ketë zgjedhje por një qeveri të re që me shumë mundësi do të jetë mes LDK dhe të tjerave. Për shkëmbimin e territoreve Lubonja dyshon se vjen ose si pasojë e lobingjeve ruse në SHBA ose sepse Trump kërkon një sukses të shpejtë në Ballkan por jo të qëndrueshëm.

”Kjo ishte një nga gjërat më të rënda por besoj se është tipike shqiptare për fat të keq. Kam bërë një shkrim së fundi pasi dëgjova intervistën e Grenell. Ndërkohë që për amerikanët ka probleme, dyshime, për shqiptarët nuk ka dyshime se është një traditë për pushtetin, paranë, klanin tim unë djeg një vend të tërë. Kjo është tradita për fat të keq. Në vend të ketë pasur një bashkim për hir të interesave të të gjithëve, është bërë përçarje për shkak të pushtetit. Si Mukja në Luftën e Dytë Botërore. Në atë rast ishin komunistët që donin pushtet absolut. Pra e njëjta psikologji. Nuk arrihet konsensusi për interesat e pjesëve. Parti do të thotë pjesë. Në Kosovë përgjegjës për këtë situatë padyshim është pala shqiptare që përfaqësohet nga ajo klasë politikë që për 20 vjet i ka bërë kosovarët të ikin nga Kosova dhe nuk do të lëshojë pushtetin prej privilegjeve dhe përfitimeve. Dhe është njëkohësisht edhe pala amerikane që i përdori këta për të rrëzuar një qeveri që do të ishte pengesë për administratën amerikane për marrëveshjen në Shtëpine Bardhë. Unë kam dyshime për shkëmbimin e territorereve, administrata amerikane e ka parë si diçka të mundshme. Dhe duket se nuk ka të bëjë me interesat e shqiptarëve por politikat amerikane që janë të dyshimta për mendimin tim. Mund të jenë rezultat i lobingjeve ruse ose një sukses të shpejtë nga Trump por jo të qëndrueshëm.

Ata duke qenë të interesuar për realizimin e këtij projekti e shohin Albin Kurtin si një pengesë, dhe Thaçin që është fitimtari në këtë mes si personi që arrin dialogun dhe suksesin.

Ështtë i humbur apo jo Albin Kurti mbetet e hapur, por unë them se nuk do të ketë zgjedhje pasi Kurti fiton më shumë po në zgjedhje. Por do shtyjnë zgjedhjet dhe do bëjnë një qeveri dhe do e shtyjnë në një legjislaturë tjetër. LVV dhe LDK kishin një marrëveshje për 4 vite. Iku Kurti mund të vijë Thaçi dhe nëse ndodh atëhere do jenë 4 vite të këqija për kosovën .”- u shpreh Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb