Tirana u mund 1-3 në Shkodër, por tani bardheblutë duhet të reagojnë. Janë 360 minuta vendimtare për kryeqytetasit, ndërsa përballen me të tria skuadrat e fundtabelës.
Me vetëm 10 ndeshje deri në përfundim të Superiores, katër javët e ardhshme pritet të vendosë shumë për fatin e skuadrave që luftojnë në zonën e poshtme të tabelës. Tirana, Flamurtari, Vora dhe Bylisi kanë përpara duele vendimtare, ku çdo pikë do të peshojë. Bardheblutë duhet të luftojnë në këto katër takimet e radhës për të bërë diferencë.
Tirana nis me sfidën ndaj Elbasani më 8 mars në “Selman Stërmasi”. Pas kësaj, bardheblutë do të presin në shtëpi edhe Bylisin dhe Vorën, përpara transfertës ndaj Flamurtarit më 4 prill. Një kalendar që ofron mundësi për pikë të rëndësishme, por pa vend për gabime. Flamurtari nga ana tjetër do të përballet me një nisje të vështirë, më 8 mars ndaj Vllaznisë dhe më 14 mars me Elbasanin. Pas kësaj, vlonjatët ndeshen me Bylisin dhe mbyllin javën e fundit ndaj Tiranës, duel që mund të shërbejë si “finale” për mbijetesën.
Vora ka kalendar të përzier, duke nisur me transfertën ndaj Bylisit më 8 mars, pastaj pritje ndaj Partizanit më 14 mars, tjetër transfertë ndaj Tiranës më 21 mars dhe përballje me Teutën më 4 prill. Dy ndeshjet direkte me Tiranën dhe Bylisin do të jenë vendimtare. Bylisi luan gjithashtu tre duele vendimtare radhazi. Më 8 mars ndaj Vorës, më 14 mars ndaj Tiranës dhe më 21 mars ndaj Flamurtarit, përpara një transfertë të vështirë ndaj Egnatias më 4 prill.
Ballshiotët duhet të grumbullojnë pikë sa më shumë, në mënyrë që të mos e humbasin kontaktin me zonën e sigurt. Java e ardhshme premton emocione të forta në luftën për mbijetesë, ku çdo gol dhe çdo pikë mund të vendosë fatin e sezonit për skuadrat e zonës së poshtme. Për tifozët, çdo ndeshje do të jetë një test i vërtetë i durimit dhe pasionit. Tirana ka avantazh shtëpie, Flamurtari nis me duele të vështira, Vora dhe Bylisi luajnë tre ndeshje direkte që mund të vendosin fatin e sezonit. Javë vendimtare për mbijetesën, çdo minutë në fushë do të llogaritet.
