Kryetarja e Kuvendi dhe njëkohësisht kandidatja e PS për Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, e ftuar në “Kjo Javë” në News24 me Nisida Tufën ka deklaruar se Tirana do të jetë pa diskutim një nga qarqet ku PS do të jetë fituese në zgjedhjet e 11 majit.

Fillimisht ajo është ndalur tek puna e saj mes kandidates së PS dhe kryesimit e drejtimit të punëve në Kuvendin e Shqipërisë.

“Është një dinamikë tjetër koha e fushatës, është intensive, por është një fushatë me bukuritë e saj. Më shijon të jem në terren , të bisedoj me njerëzit. Puna si kryetare Kuvendi është e ndarë nga ajo si, kandidate, deputete dhe njeri politik.

I kam të ndara të dyja detyrat, nga një luftëtare politike në terren dhe Kuvend si deputete, në një kryetare Kuvendi ku jam përpjekur që t’i lejoj opozitës një qasje të barabartë ne veprimtaritë parlamentare, jo vetëm në seancë por kudo”, tha ajo.

Spiropali më tej u ndal në fushatën në Tiranë. Ku tha se lista e kandidatëve të Partisë Socialiste është një listë shumë e mirë përfaqësuese, ndërsa vlerësoi se lista e përpiluar nga PD është në fakt një listë që i flet vetëm besnikëve të kësaj partie dhe jo publikut.

Ajo shtoi gjithashtu se bashkia e cila është transformuar më shumë në qark, është ajo e Kamzës.

“Qarku do të jetë pa diskutim fitues për PS në këto zgjedhje dhe fitorja e Tiranës nuk është vetëm ogur i mirë, por edhe themel i mirë për fitoren në vend në bazë të numrit të deputetëve që ka.

Kemi investuar shumë nga energjitë për zhvillimin e infrastrukturën, Tirana sot nuk njihet në krahasim me atë që ka qenë, është esenca e ndryshimit në rang kombëtar.

Kamza është bashkia me transformimin më të thellë dhe më progresist në qark. Nga një bashki ku vetëm 35% ishte mbuluar me ujësjellës e kanalizime sot janë 95%. Kjo bashki është në rang kombëtar më e transformuara pozitivisht.

Në Qarkun e Tiranës besojmë se kemi listën më të mirë përfaqësuese. Lista jonë nuk ka asnjë lidhje me atë të PD që në vend t’i flasë publikut i flet vetëm besnikëve fanatikë të PD. Nuk është listë që reflekton fitore, por është një listë për menaxhimin e humbjes”, tha ajo.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb