Më 1–2 gusht 2026, Tirana ishte mikpritëse e Kampionatit Ballkanik të Xhudos për Seniorë dhe Veteranë, një aktivitet i organizuar nga Federata Shqiptare e Xhudos, nën kujdesin e Federatës Ballkanike të Xhudos.
Në këtë kampionat morën pjesë rreth 170 sportistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Rumania dhe Moldavia, duke e kthyer Tiranën në qendrën e xhudos ballkanike për dy ditë garash.
Ceremonia e hapjes u zhvillua në praninë e Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, Presidentit të Federatës Shqiptare të Xhudos, Drin Shkreta, dhe Presidentit të Federatës Ballkanike të Xhudos, Branislav Crnogorac, ndërsa programi artistik promovoi kulturën dhe traditat shqiptare për delegacionet pjesëmarrëse.
Shqipëria u përfaqësua me 37 sportistë, të cilët zhvilluan një paraqitje dinjitoze, duke fituar gjithsej 6 medalje. Në peshën deri 81 kg kampion u shpall sportisti ynë Indrit Çullhaj, pasi mundi në finale sportistin nga Mali i Zi. Marko Gusiç. Çullhaj arriti të koleksiononte 4 fitore në 4 ndeshjet e këtij turneu duke demonstruat edhe njëherë tjetër formën e tij të shkëlqyer sportive. Kjo ishte medalja e tij e 4 që arrin ti sigurojë Shqipërisë.
