Tirana përgjysmon titullarët. Bardhe blutë kanë hyrë në një fazë rikonstruksioni të thellë dhe ky transformim shihet qartë në krahasimin mes skuadrës së sezonit të kaluar dhe asaj aktuale. Nga 11-shja titullare që mbylli kampionatin(“play out”) ndaj Pogradecit, plot pesë emra të rëndësishëm, Selmani, Mici, Përgjoni, Zharmuni dhe Ndreca, nuk janë më pjesë e bardhebluve.

Largime që jo vetëm zbrazin repartet, por edhe prishin ekuilibrin e krijuar në edicionet e shkuara. Kontingjenti i mbetur përfshin emra me peshë si Dembele, Kola, Vera, Rafael, Soler dhe Haxhiu. Por as këta nuk kanë qenë plotësisht të pranishëm. Kola është i dëmtuar, Dembele mungoi në sfidën e fundit dhe vetëm këtë javë rikthehet, ndërsa Haxhiu nisi nga stoli me Flamurtarin.

Kjo tregon se edhe bërthama ekzistuese nuk ka arritur të japë stabilitetin e nevojshëm në fushë. Në ndeshjet e para të kampionatit, shpesh është vënë re që skuadra ka vështirësi në ruajtjen e vazhdimësisë gjatë 90 minutave, duke alternuar periudha të mira me momente pasigurie. Edhe pankina ka ndryshuar shumë, veç trajnerit ku nuk është as Shkëmbi e Mile. Harizaj, Smaci dhe Bajrovic nuk janë më, ndërsa lojtarë si Ismajli, Meta dhe Gjumsi kanë qëndruar, por janë të dëmtuar.

Marku (titullar në sfidën e fundit) dhe Mihana janë ndër të paktët që janë të gatshëm, por me rol më periferik. Kjo situatë ka ulur ndjeshëm alternativat për trajnerin, i cili shpesh është detyruar të bëjë rotacion të detyruar dhe jo të zgjedhur.

Nga ana tjetër, merkatoja ka sjellë emra të rinj që pritet të marrin peshë me kalimin e javëve. Integrimi i tyre është një proces që kërkon kohë, por që duhet përshpejtuar, pasi kampionati nuk fal. Tifozët bardheblu kanë pritshmëri të mëdha, sidomos pas dështimit për të siguruar trofetë kryesorë sezonin e shkuar. Presioni i tribunës është i madh dhe kjo e bën edhe më delikat procesin e rindërtimit.

BOSHTI – Në këtë kontekst, trajneri duhet të gjejë balancën mes lojtarëve të mbetur nga sezoni i shkuar dhe afrimeve të reja, duke ndërtuar një bosht të qartë titullarësh që mund t’i japin skuadrës stabilitet dhe identitet. Rikthimi i Dembelés dhe rikuperimi i Kolës e lojtarëve të tjerë të dëmtuar pritet të jenë vendimtarë për ecurinë e Tiranës në javët e ardhshme.

Nëse rikthimi i lojtarëve të dëmtuar shkon sipas parashikimeve dhe afrimet arrijnë të integrohen shpejt, Tirana ka potencial të rivalizojë sërish për objektivat madhorë. Por deri atëherë, bardheblutë duken ende në kërkim të versionit më të mirë të vetes. Ky është një sezon ku durimi dhe puna në prapaskenë do të peshojnë po aq sa rezultatet në fushë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb