Tirana është në Greqi ku ka nisur fazën për gatitore, por problemi më i nxehtë është merkatoja dhe grupi i formuar. Gjatë këtyre ditëve është analizuar situata te bardheblutë.
Drejtuesit kanë arritur në konkluzion se të huajt në radhë të parë janë shumë. Dhe, së dyti, ekipit i mungon një lider shqiptar. Erando Karabeci është aty, por ai nuk garanton që do të luajë të gjitha ndeshjet. Në këto kushte, Tirana duhet të gjejë lojtarë që të ngrenë skuadrën në fushën e lojës. Ekipi nuk mund të bazohet vetëm tek të huajt, pasi dihet që ata nuk e njohin fanellën, ndërsa nga ana tjetër, në dhomat e zhveshjeve duhet një lojtar që të shkundë grupin.
Vjet ishte Përgjoni dhe Mici, pa harruar të tjerët, ndërsa këtë vit, shqiptarë ka shumë pak. Për këtë qëllim do të hyhet në merkato për të afruar lojtarë shqiptarë, të cilët mbajnë peshën e ekipit dhe ta drejtojnë, si në fushë, dhe në dhomat e zhveshjeve.
KAPITENI – Tirana ka mbetur pa kapiten pas largimit të Florjan Përgjonit dhe zëvendëskapitenit Gledi Mici. Dy lojtarë që alternonin njëri-tjetrin kur bëhej fjalë për shiritin. Me largimet e tyre, në klub morën kohë për të caktuar liderin që do të udhëheqë në fushë klubin bardheblu, pasi ende nuk ishte përcaktuar trajneri dhe stafi i tij. Tashmë me ardhjen e Miles në stol, shiriti i kapitenit i është vendosur Dembelesë.
Në fakt, kapiten i parë i takon Karabecit, si një “ish”, por pas tij është mbrojtësi francez që do të duhet të ruajë ekuilibrat në dhomat e zhveshjes. Një vlerësim për sezonin e mirë të Dembelesë dhe që tregon se Tirana nuk do të privohet nga shërbimet e tij. Ditën e hënë, klubi kryeqytetas ka udhëtuar drejt Greqisë, ku prej 12 ditësh do të zhvillojë fazën përgatitore në prag të sezonit të ri.
