TIRANE – Gjendet një granatë në automjetin e një avokati në kryeqytet. Burime nga policia bëjnë të ditur se granata është gjetur në gomën e pasme të makinës së avokatit Emirion Mema, e cila ishte e parkuar në rrugën “Mine Peza”, pranë Prokurorisë së Tiranës. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat anti-eksploziv, të cilat bënë të mundur çaktivizimin e granatës.
Gazetari Spartak Koka informon nga vendi i ngjarjes se granata është konstatuar nga drejtuesi i një makine tjetër, që ishte parkuar pranë automjetit tip Passat, me targë AA 235 GM, në pronësi të avokatit Emirion Mema.
Në vendngjarje mbërritën edhe drejtues të lartë të Policisë së Tiranës dhe aktualisht konfirmohet se nuk ka asnjë rrezik pasi gjithçka është nën kontrollin e strukturave policore. Ndërkohë autoritetet kanë nisur hetimet, dhe kanë marrë në pyetje avokatin Mema, për të zbuluar nëse ka patur ndonjë konflikt të mëparshëm, që mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Burime për “News24” bëjnë të ditur se avokati Mema rezulton të ketë pasur konflikte më herët, pasi e kanë plagosur me armë zjarri në maj të vitit 2009. Autorët e plagosjes u identifikuan si Edmond Pashk Lala dhe Albert Margjoni nga Lezha.
Emirion Gjin Mema ka lindur në Pukë në 19.08.1985 dhe banon në rrugën “Shaban Bardhoshi” në Kombinat.
SHPËRTHIMET ME EKSPLOZIV NE TIRANE
Një ditë më parë dy shpërthime me eksploziv dhe një në tentativë u regjistruan në tri zona të ndryshme të kryeqytetit, brenda një harku kohor prej 4 orësh, duke përhapur panik dhe terror në masë. Në shënjestrën e njërit prej akteve terroriste ishte familja e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në biznesin privat, farmaci të Bashkim Tahirit, babai i ministrit që ndodhet në rrugën “Kongresi i Manastirit”, shumë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shpërtheu një sasi e madhe lëndë plasëse. Për fat, nuk pati të lënduar në njerëz, vetëm dëme materiale. Një orë më vonë, një minë e telekomanduar shpërtheu në derën e apartamentit të Alfred Nomanit, ish-shefi i Komisariatit nr.3 në Tiranë, vartës i Saimir Tahirit. Banesa e zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit ndodhet vetëm një rrugicë larg nga farmacia e Bashkim Tahirit, konkretisht përballë Pediatrisë në QSUT. Shpërthimi në banesën e Nomanit ndodhi në 3:50 minuta dhe ekspertët thanë se eksplozivi ishte vendosur në sheshpushimin e pallatit. Na banesën e Nomanit nuk ndodhej asnjë prej pjesëtarëve të familjes. Akti i tretë padiskutim terrorist, mbeti në tentativë. Policia u njoftua se në rrugën “Muhamed Gjollesha” në stacionin e autobusit ku kalon linja e Unazës së Tiranës, ishte lënë një pako e dyshimtë. Ekspertët xhenierë bënë shpërthim të telekomanduar, duke shmangur pasojat e rënda në njerëz, nëse mina do të kishte shpërthyer. Në fakt, pikërisht shumë pranë stacionit ku do të kryhej akti i tretë, ndodhet banesa e prindërve të Saimir Tahirit, Bashkim e Luiza Tahiri. Ekspertët thanë se në të tria rastet, sasia e eksplozivit është afërsisht nga 400 gramë dhe dyshohet të jetë e njëjta dorë.
(er.nu/BalkanWeb)
