Policia e Tiranës ka intensifikuar aksionet kundër parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin në kryeqytet, duke proceduar penalisht 24 shtetas për bllokim të qëllimshëm të lëvizjes në hapësira publike.
Gjatë kontrolleve të fundit, efektivët e Policisë Rrugore konstatuan disa automjete të parkuara në mënyrë të parregullt në rrugë të ndryshme të qytetit. Automjetet u tërhoqën me mjet ngritës dhe ndaj pronarëve të tyre nisi procedimi penal bazuar në nenin 293 të Kodit Penal.
Të proceduarit janë shtetas të moshave të ndryshme, nga 23 deri në 65 vjeç, mes tyre R. M., E. H., I. M., F. H., S. D., dhe të tjerë.
Policia e Tiranës thekson se aksionet në terren do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim garantimin e qarkullimit të lirë për qytetarët dhe automjetet, si dhe disiplinimin e trafikut në kryeqytet.
“Respektoni rregullat – rruga është për të gjithë”, apelon policia, duke kërkuar ndërgjegjësim për të shmangur penalizime dhe kaos rrugor.
