Finalizohet në Tiranë operacioni i koduar “Rrjeta”, i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit për lokalizimin dhe ndalimin e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Si rezultat i kontrolleve nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Forcën e Posaçme Operacionale, u bë i mundur arrestimi i dy shtetasve të dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Në pranga u vu shtetasi Klodian Hoxha, 43 vjeç, i arrestuar në zonën e Laprakës, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Ankonës në Itali me 8 vite e 6 muaj burgim për “Trafikim të lëndëve narkotike”. Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me Interpol Roma, po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Po ashtu, u arrestua edhe shtetasi F. B., 26 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Policia bën me dije se operacioni “Rrjeta” vijon në terren për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb