Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Together”, i cili çoi në arrestimin e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur më herët në kërkim për veprimtari kriminale që përfshin armë shpërthyese të programuara për atentate në distancë.
Në kuadër të operacionit, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, u arrestuan dy persona:
J. Sh., 25 vjeç, banues në Shkodër – i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të mëparshëm “Brothers”, pasi dyshohet se posedonte së bashku me vëllanë e tij (i arrestuar më parë), dy mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë. Dyshohet se këto mjete shpërthyese do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale.
G. H., 28 vjeç, gjithashtu banues në Shkodër – arrestuar nën dyshimet se ndihmonte J. Sh. të fshihej, duke e përkrahur gjatë kohës që ishte në kërkim.
Të dy shtetasit u kapën në zonën e Selitës në Tiranë, ku po fshiheshin.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi një automjet dhe tre celularë, që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin kriminal ose për të shmangur ndjekjen nga autoritetet.
Materialet procedurale janë referuar tashmë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila do vijojë hetimet dhe procedurat përkatëse ndaj të arrestuarve.
