TIRANE – Në fillim të vitit të ri shkollor kanë nisur të bëhen edhe ndryshime të drejtuesve të institucioneve arsimore, pasi disa drejtues shkollash janë larguar nga puna. Midis tyre është shkarkuar edhe drejtoresha e gjimnazit “Ismail Qemali”, Alma Laze. Nga Drejtoria Arsimore e Tiranës nuk ka asnjë njoftim zyrtar për largimin e saj nga puna dhe për faktin se është transferuar në një shkollë 9-vjeçare. Por veç largimit të saj, në gjimnazin “Ismail Qemali” është emëruar edhe drejtoresha e re, Luljeta Kana.
Por ajo ende nuk ka mundur të futet në zyrën e saj të re, pasi ish-drejtoresha e shkarkuar nuk pranon t’i dorëzojë çelësat. Faktikisht, lajmi i shkarkimit të drejtoreshës së këtij gjimnazi është mirëpritur nga nxënësit, por edhe nga prindërit e tyre, si dhe nga një pjesë e mirë e stafit të mësuesve. Sipas tyre, ata janë ankuar shpeshherë për ish-drejtoreshën dhe më në fund zërat e tyre janë dëgjuar.
“Ish-drejtoresha Alma Laze, kur u emërua drejtoreshë në gjimnazin ‘Ismail Qemali’, i cili ishte një gjimnaz model, nuk kishte punuar asnjë ditë në arsim. Ka qenë ish-magaziniere në D.R.S.SH, e pacertifikuar dhe me diplomë korrespondence në Institutin e Shkodrës. Jo ne që kemi fëmijët këtu, por çdokush e dallon se si ka përfunduar ky gjimnaz në këto dy vite që drejtohet prej saj. Mjafton që të shikohet fasada, pasi as baneri i Ismail Qemalit, që u vendos për 100-vjetorin, nuk është më”, shprehet një prej prindërve.
Në shkurt të vitit 2014, gjatë reformës që ndërmori Ministria e Arsimit duke shkarkuar drejtuesit e shkollave, shkarkoi edhe Vojsava Thanasin, e cila prej gati 40 vitesh kishte punuar si mësuese dhe e drejtonte prej shumë vitesh këtë gjimnaz, duke emëruar një person pa eksperiencë në arsim, të cilën pas një viti e gjysmë e shkarkuan, pasi nuk përmbushi aspiratat e MAS për ‘rilindje’ në arsim.
Në shkurt të 2014-ës, nxënësit dhe bordi i prindërve të kësaj shkolle protestuan kundër emërimit të Alma Lazes dhe kundër largimit të Vojsava Thanasit, po zërat e tyre nuk u dëgjuan. Ndaj sot ky gjimnaz pas 19 muajsh, e ka humbur shkëlqimin e tij të dikurshëm.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
