TIRANE- Rasti i dhunës së dy fëmijëve në kopshtin privat “4 Stinët” që u bë publik sot kur u shoqërua edukatorja 30-vjeçare, Denida Rexhepi nuk është i vetmi.

Të paktën kështu konfirmon për BalkanWeb, gazetarja Dorjana Bezat, e cila, i referohet rastit të një nëne tjetër që në pamundësi për të gjetur prova ka vendosur t’i heqë fëmijët nga kopshti.

Burimet policore konfirmojnë se po verifikohet të gjitha rastet kur prindërit kanë hequr fëmijët nga ky institucion, pasi kanë dyshime se ka pasur raste të tjera dhune, edhe pse prindërit nuk kanë bërë denoncime në polici.

Gjatë verifikimeve, siç bën me dije gazetarja Dorjana Bezat për BalkanWeb, hetuesit kanë kontaktuar me nënën e një fëmije 4 vjeç, e cila ka pohuar se fëmija i ka treguar për dhunën e edukatores kur nuk sillej mirë.

Ndërsa nuk bëhet fjalë për edukatoren e shoqëruar sot, policia thotë se rasti ka ndodhur në janar të këtij viti.

Pas kësaj, nëna ka kërkuar kamerat, por stafi i ka thënë se i ka parë por nuk ka konstatuar dhunë. Nëna e ka hequr fëmijën nga kopshti, por nuk e ka denoncuar rastin.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: