Marshimi masiv i lëvizjes qytetare që nisi nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe kaloi përpara Parlamentit, ka zhvendosur tashmë “oqeanin” e njerëzve drejt një tjetër pike kyçe të kryeqytetit.
Mijëra protestues janë grumbulluar masivisht në kryqëzimin e njohur si “Brryli” në Tiranë, duke paralizuar plotësisht qarkullimin e automjeteve në këtë aks.
Gjatë këtij bllokimi masiv, është shënuar një moment i jashtëzakonshëm solidarizimi dhe qytetarie që ka prekur të gjithë të pranishmit. Edhe pse turma ishte tejet e dëndur dhe numëronte mijëra persona, sapo janë dëgjuar sirenat e një ambulance që po transportonte një pacient drejt spitalit, protestuesit janë koordinuar në kohë rekord.
Pasi kanë hapur një kordon njerëzor mes përmes rrugës, ata kanë lejuar kalimin e menjëhershëm dhe pa asnjë vonesë të ambulancës.
