MAMURRAS- Mamurrasi është tronditur përgjatë natës nga një krim i rëndë, ku një i riu ka mbetur i vrarë me armë zjarri. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit në lagjen ‘Zef Hoti’, në periferi të Mamurrasit.
Nga të dhënat paraprake ‘BalkanWeb’ mëson se i vrarë nga një breshëri plumbash ka mbetur Indrit Pepa, rreth 27-vjeçar, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë. Sapo u njoftuan për ngjarjen, forca të shumta policore mbërritën në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për zbardhjen e krimit. Pas hetimeve, u bë e mundur identifikimi i autorit. Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet A.M., 49 vjec, ndërsa po punohet për kapjen e tij, pasi dyshohet se mes tij dhe viktimës ka pasur një konflikt të hershëm.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme një tjetër ngjarje ndodhi në Fushë-Mamurras, ku pas një sherri mbeti i vrarë me thikë një 14-vjeçar.
NJOFTIMI I POLICISE
Sot, rreth orës 04:30, është marrë njoftim se në Mamurras, afër xhamisë së qytetit, është plagosur me armë zjarri shtetasi I.P. 27 vjeç, banues në Mamurras, i cili është transportuar për në Spitalin e Traumes në Tiranë, por rrugës ka ndërruar jetë.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit A.M. 49 vjeç, banues në Mamurras i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.
Grupi hetimor në vendngjarje nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(ed.me/BalkanWeb)