Pas zbulimit të një skeme tjetërsimi të pronave në bregdetin e Jalës, ku një shtëpia prej 98 metrash katrore dhe trualli i oborrit të saj që zotërohej ligjërisht nga zoti Lorenc Koljaka i kanë kaluar në pronësi personave të tjerë, vjen një reagim nga shoqëria “Jala Investment” Sh.p.k.

Kjo e fundit përmes një deklarate drejtuar ‘BalkanWeb’ ka mohuar kategorikisht lajmin, duke e cilësuar të pavërtetë. Përmes reagimit, “Jala Investment” shpk sqaron se shoqëria është pronare e ligjshme e 3 pasurive në fshatin Jalë, Bashkia Himarë dhe po zhvillon një projekt turistik të parin Hotel të standardit me 5 yje në këtë zonë.

Mes të tjerash kjo shoqëri thekson se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë sipërmarrjeje me personat e cituar në artikull.

REAGIMI I SHOQERISE
Shoqëria “Jala Investment” shpk i konsideron të pavërteta dhe shpifje pretendimet e artikullit të mësipërm dhe shpreh keqardhje për publikimin e një informacioni të tillë.
 
Shoqëria “Jala investment” është pronare e ligjshme  e 3 pasurive në fshatin Jalë, Bashkia Himarë dhe po zhvillon një projekt turistik të parin Hotel të standardit me 5 yje në këtë zonë. Pretendimi i artikullit se shoqëria “Jala Investment” ka nënshkruar kontratë sipërmarrjeje me personat e cituar në artikull është plotësisht i pavërtetë.
 
Shoqëria “Jala investment” ka përfituar 3 pronat objekt zhvillimi më sipër (Pasuritë sipas vërtetimeve hipotekore me numër serial Nr.157, 158 dhe 159 të regjistruara në ASHK Vlorë, ZK. 3844 Jalë, Vuno) si kontribut në kapital nga një nga investitorët, shoqëria AIG sh.p.k . Kjo shoqëri i ka blerë këto prona nga pronarët e ligjshëm duke paguar çmimin e shitblerjes sipas tregut dhe taksat përkatëse.  Pronat janë blerë në vitin 2020 nga shoqëria AIG (ortak i shoqërisë Jala Investment) sipas vertetimeve të pronësisë të lëshuara nga ASHK Vlorë, të lira dhe pa asnjë lloj barre hipotekore mbi to. Prej më shumë se 1 viti prona është zotëruar ligjërisht dhe fizikisht dhe nuk ka patur asnjë lloj pretendimi pronësie nga askush dhe jo më nga pretenduesit e prones në këtë artikull.
 
Shoqëria “Jala Investment” zotërohet nga shoqëria ANDI Shpk dhe AIG shpk. Shoqëria Andi.shpk është shoqëri ndërtuese e mirënjohur, e themeluar që në vitin 1993 në Vlorë dhe me aktivitet të gjërë ndërtues në të gjithë Qarkun e Vlorës dhe jo vetëm. Lidhja që bëhet në artikull mes aktivitetit të kësaj shoqërie dhe personave të tjerë publike është abuzive dhe synon thjesht mediatizimin e qëllimshëm të çështjes duke dëmtuar interesat e kompanisë sonë.
 
Duke besuar se artikulli spekulativ ka ardhur për shkak të keqinformimit dhe mungesës së të dhënave, shoqëria “Jala Investment” kërkon përgënjështrimin e shkrimit. Në të kundër, jemi të detyruar të ndërmarrim rrugën ligjore civile për mbrojtjen e imazhit të kompanisë dhe zhdëmtim për dëmin e shkaktuar.
 
ARTIKULLI
Në skemën e mashtrimit thuhet se shtëpia dhe oborri i shtetasit Lorenc Koljaka i ka kaluar në pronësi me 10 janar 2019, Teodor Dhespotit, Alma Dhespotit, Monda Mëhillit, Sonila Mëhillit dhe Spiro Mëhillit me anë të dy vendimeve të një pas njesheshem të drejtorisë së ALUZINI-t në Vlorë, edhe pse dokumentet mbi pronësinë e vërtetë tregonin krejt të kundërtën.
Kështu nga shkresat rezulton se zoti Lorenc Kolja ka arritur të trashëgojë pronën në fjale bazuar në dëshmitë e trashëgimisë që datojnë që nga viti 1977, me testamentin e lëshuar në Korfuz nga pronari i parë Kiço Koço dhe të njohur nga noterët e kohës së komunizmit.
Po ashtu dëshmitë e trashëgimisë janë lëshuar edhe në vitin 2004 nga gjykata e Vlorës në 2004, ndërkohë që pronësia vërtetohet edhe nga leja e ndërtimit marrë nga Spiro Koco në Bashkinë Himarë për riparimin çatisë në 2008. Vit në të cilin ka ndërruar jetë trashëgimlënësi i Koljakës, Spiro Koço, i cili ka banuar aty deri në ditët e fundit të jetës. Pas vdekjes së Spiro Koço, posedimi i pasurisë i kaloi zotit Lorenc Koljaka, por ai nuk ishte rezident i përhershëm.

Në vitin 2019 Koljaka njoftohet se banesa e tij është shembur dhe se mbi atë truall kishte nisur të ndërtohej një hotel. Firma ndërtuese është kompania “Jala Investment”, 60 përqind e së cilës është në pronësi të kompanisë ANDI, e zotëruar nga kushërinjtë e parë të Damian Gjiknurit, Andi dhe Adriana Gjiknuri. Për të arritur në këtë moment, kompanisë “Jala Investment” i është dashur të lidhë kontratë sipërmarrje me Teodor Dhespotin, Alma Dhespotin, Monda Mëhillin, Sonila Mëhillin dhe Spiro Mëhillin, të cilët në janar të 2019 kanë përfituar nga drejtoria e ALUIZNI-t në Vlorë, shtëpinë dhe truallin e Lorenc Koljaka. Ato kanë paraqitur tek ALUIZNI shkresat e ligjit 7501, i cili në fakt nuk ka lidhje me procesin e legalizimit, aq më tepër kur bëhet një objekt që ka ekzistuar aty që nga viti 1937, dhe i njohur nga aktet juridike të kohës së diktaurës dhe viteve të demokracisë.
Shkelja e parë është se me ligjin 7501 nuk përfitohen objekte, aq më tepër ato ekzistuese, sepse ato kanë qenë të detajuar në aktet e dhënies së tokës në përdorim, ndërsa shkelja tjetër është se shtëpia është ndarë në dy pjesë për t’u legalizuar. I gjithë ky operacion kriminal është bërë me qëllimin e vetëm për të përfituar sa më shumë truall nga procesi i legalizimit. Duke e ndarë shtëpinë në dy pjesë të barabarta nga 48 metra, janë përfituar 578 metra katrore truall, ndërsa nëse do legalizohej një objekt do të kalonin vetëm 300 metra katrorë. Vendimet mbajnë firmën e drejtorit të atëhershëm të ALUIZNI-t në Vlorë, Ardian Musta.

Ky i fundit është denoncuar në prokurori nga zoti Lorenc Koljaka, dhe organet e drejtësisë kanë sekuestruar të gjitha dosjet në drejtorinë e legalizimve. Por përfshirja në këtë sipërmarrje e familjarëve të Damian Gjiknurit, si përfitues të një siperfaqe për ndërtimin e një hoteli në një prej zonave më të lakmuara të bregdetit të jugut, ngjitur me plazhin e Jalës, ngre pikëpyetje të mëdha mbi trafikun e influencave. Heqja e pronës gati shekullore, është bërë në një kohë kur ka qenë e dokumentuar se kjo shtëpi ka qenë në posedim të familjes Koçi dhe më pas të Lorenc Koljaka.

Ka pasur kontratë furnizimi me energji, është marrë një leje ndërtimi për riparimin e catisë nga bashkia Himarë në vitin 2008, sic shihet dhe nga dokumentat, si dhe vërtetimet e kryepleqësisë në fshatin Vuno të 1993 dhe 1995, por asgjë nuk është marrë parasysh. Nga ana tjetër drejtori i ALUZNI-t, sigurisht nuk ka qenë njeri i panjohur për drejtuesin politik të Partise Socialiste në Vlorë, Damian Gjiknurin. Dhe fakti që përfitues final të kësaj prone është një kompani ku aksionere kryesore janë familjarët e tij, e bën të gjithë operacionin e tjetërsimit të pronës shumë të dyshimtë. Ndërkohë punimet në Jalë vazhdojnë, pavarësisht kallëzimit penal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: