Deputetja e PD, Ina Zhupa ka akuzuar mazhorancën dhe policinë për përdorim disproporcional të forcës ndaj protestuesve paqësorë të 24 janarit, siç u shpreh ajo, duke theksuar se përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar rrezikon seriozisht shëndetin publik dhe bie ndesh me konventat ndërkombëtare.

“Duhet ta dini që kur shteti shqiptar përdor gaz lotsjellës të skaduar rrezikon shëndetin publik dhe është kundër konventave ndërkombëtare dhe ju e ne si parlamentarë duhet të jeni të shqetësuar në disproporcionin që merr Policia e Shtetit ndaj protestuesve paqësorë të opozitës, duhet të jeni shumë të shqetësuar kur rrezikoni të helmoni njerëz, kur godisni invalidë, kur çoni në qelitë e burgut minorenë sepse këto kanë të bëjnë për standardet që ne flasim për integrimin europian”, tha ajo.

Në fjalën e saj në Kuvend, Zhupa kritikoi ashpër edhe prioritetet buxhetore të qeverisë, duke i cilësuar si të shkëputura nga realiteti, në një kohë kur, sipas saj, shëndetësia dhe arsimi vuajnë nga mungesa e fondeve dhe standardeve bazë.

“Duhet t’ju vijë turp kur del këtu Sekretari i PS dhe thotë që është arritje e madhe që 2.2 milionë euro shkojnë për një sport që ka qejf z. Klosi, ndërkohë që në këtë vend nuk ka ilaçe në pediatri, nuk marrin pagat infermierët, shkurtohen me akt normativ rast pas rasti buxheti i arsimit, nuk u jepen pagesat e transportit mësuesve që ikin nga një zonë në tjetrën dhe suksesi sipas jush janë 2.2 milionë euro për padelin”, shprehet Zhupa.

Ina Zhupa: Duhet ta dini që kur shteti shqiptar përdor gaz lotsjellës të skaduar rrezikon shëndetin publik dhe është kundër konventave ndërkombëtare dhe ju e ne si parlamentarë duhet të jeni të shqetësuar në disproporcionin që merr Policia e Shtetit ndaj protestuesve paqësorë të opozitës, duhet të jeni shumë të shqetësuar kur rrezikoni të helmoni njerëz, kur godisni invalidë, kur çoni në qelitë e burgut minorenë sepse këto kanë të bëjnë për standardet që ne flasim për integrimin europian.

Duhet t’ju vijë turp kur del këtu Sekretari i PS dhe thotë që është arritje e madhe që 2.2 milionë euro shkojnë për një sport që ka qejf z. Klosi, ndërkohë që në këtë vend nuk ka ilaçe në pediatri, nuk marrin pagat infermierët, shkurtohen me akt normativ rast pas rasti buxheti i arsimit, nuk u jepen pagesat e transportit mësuesve që ikin nga një zonë në tjetrën dhe suksesi sipas jush janë 2.2 milionë euro për padelin. Ato mund t’i jepni për qytetarët, për ilaçe te Onkologjiku dhe për të mirën e këtij vendi, por këtu jeni katandisur ku keni humbur lidhjen me realitetin.

Edhe mazhoranca sot thotë çfarë problemi ka, t‘ju mbysim me gaz të skaduar, t’ju shkatërrojmë pronat, shëndetësinë, arsimin, t’ju marrim qytetarëve gjithçka që kanë dhe të vijmë këtu e mburremi me arritje imagjinare.

Nuk ka procedurë më të rëndësishme për një Kuvend sesa të kujdeset për shëndetin e qytetarëve dhe për një të drejtë kushtetuese siç është protesta. Qytetarët atje kanë goditur një institucion i cili është institucioni më i korruptuar në vend si kryeministria, një institucion që është kriminal dhe i lidhur me krimin, një institucion që përfaqëson narkotrafikun dhe nuk kanë goditur policë atje ku me detyrimin tuaj i përdorët si terroristë kundër qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb