Një ngjarje e rëndë ka tronditur Times Square në Nju Jork, ku një grua ka vrarë një person dhe ka plagosur rëndë një tjetër në një sulm me thikë, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.

Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës, pranë 41st Street dhe Seventh Avenue, në një nga zonat më të frekuentuara të Manhatanit. Sipas autoriteteve, sulmi ishte i rastësishëm dhe i paprovokuar dhe dy viktimat u goditën me thikë brenda vetëm rreth 20 sekondash.

‘Viktima’ e parë ishte një 68-vjeçar, i cili sapo kishte dalë nga metroja dhe po priste të kalonte rrugën së bashku me bashkëshorten e tij. Sipas policisë, gruaja nxori dy thika nga një çantë, i tundi ato dhe më pas e goditi burrin në bark, pa pasur ndonjë konflikt të mëparshëm me të.

Pas sulmit, autorja e dyshuar u largua në drejtim të Seventh Avenue dhe 42nd Street. Pak sekonda më vonë, ajo iu afrua një gruaje 32-vjeçare dhe e goditi edhe atë në bark, në atë që policia e përshkroi gjithashtu si një sulm të rastësishëm dhe pa asnjë provokim të dukshëm.

32-vjeçarja u transportua me urgjencë në spital, por plagët e marra rezultuan fatale dhe ajo ndërroi jetë. Ndërkohë, viktima tjetër u dërgua në spital me plagë të rënda që rrezikonin jetën, por gjendja e tij u stabilizua.

Pas dy sulmeve, gruaja u largua nga vendi i ngjarjes dhe u drejtua në veri, në drejtim të një nënstacioni të policisë. Disa dëshmitarë njoftuan efektivët, të cilët arritën ta lokalizonin.

Për rreth katër minuta, policët i kërkuan vazhdimisht të hidhte thikën dhe të dorëzohej. Sipas komisioneres së NYPD-së, Jessica Tisch, gruaja nuk pranoi t’u bindej urdhrave të efektivëve.

Gjatë përballjes, ajo dyshohet se kërcënoi policët, duke u thënë se nuk do ta hidhte armën dhe se preferonte t’i vriste ata. Ajo e përsëriti kërcënimin disa herë, sipas autoriteteve.

Efektivët përdorën fillimisht armët elektrike “Taser” në përpjekje për ta neutralizuar, por situata nuk u qetësua. Në vijim, dy oficerë të policisë hapën zjarr ndaj gruas. Ajo u plagos rëndë dhe u transportua në spital, ku më vonë u shpall e vdekur.

Policia e ka identifikuar gruan si Pamela Cisneros, 49 vjeçe, nga Queens. Sipas autoriteteve, ajo kishte një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor. Në vendin e ngjarjes u gjetën dy thika, të cilat u sekuestruan nga policia si prova. Autoritetet kanë theksuar se, bazuar në informacionet paraprake, ngjarja nuk duket të ketë lidhje me terrorizmin.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, vlerësoi reagimin e policisë, duke deklaruar se ndërhyrja e efektivëve parandaloi që situata të përshkallëzohej edhe më tej.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb