Ljubisa Karovic, ka folur për herë të parë për momentet dramatike që përjetoi gjatë një fluturimi të kompanisë Ryanair nga Greqia drejt Gjermanisë, kur u thith pjesërisht jashtë avionit pasi një dritare u dëmtua gjatë fluturimit. Në një intervistë për The Guardian, biznesmeni serb tregoi se kujtimi që e ndjek ende është zhurma e fortë që dëgjoi pak çaste përpara se kabina të humbiste presionin.

“Ajo zhurmë nuk më largohet nga mendja. Është gjëja e parë që më vjen ndërmend sa herë mbyll sytë për të fjetur”, rrëfeu ai. Karovic ishte ulur pranë dritares, në sediljen 11F, kur ndodhi incidenti. Në atë moment, avioni po fluturonte në një lartësi prej rreth 15 mijë këmbësh dhe me shpejtësi mbi 600 kilometra në orë. Forca e dekompresionit e tërhoqi pjesërisht jashtë kabinës, ndërsa ai humbi ndjenjat dhe pësoi dëmtime në kokë, qafë, kraharor dhe krah.

61-vjeçari beson se rripi i sigurimit ishte faktori kryesor që i shpëtoi jetën. “Nuk e di nëse ishte rripi apo fati, por sot jam gjallë. Kam ende dhimbje, sidomos në qafë dhe kokë, por falënderoj Zotin çdo ditë që mbijetova”, u shpreh ai. Sipas bashkëshortes së tij, Svetlana Karovic, reagimi i menjëhershëm i pasagjerëve ishte vendimtar për të shmangur tragjedinë. Ajo veçoi veçanërisht një udhëtar, për të cilin dyshon se ishte shqiptar. “Ai nuk u mendua dy herë. Ndihmoi me gjithë forcën për ta tërhequr sërish brenda avionit dhe më pas vendosi një valixhe për të bllokuar hapjen. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që bëri për ne”, tha ajo.

Avokati i Karovicit, Vasilis Tsiaras, pretendon se pasagjerët ishin ata që ndërhynë të parët, ndërsa sipas tij ekuipazhi mbeti i tronditur dhe nuk reagoi menjëherë. Këto akuza janë mohuar nga Ryanair. Kompania ajrore deklaron se stafi zbatoi të gjitha procedurat e sigurisë, uli avionin në një lartësi të sigurt dhe më pas i dha ndihmën e nevojshme pasagjerit, duke e zhvendosur pranë bashkëshortes dhe duke siguruar asistencë mjekësore deri në uljen emergjente në Selanik. Pas disa ditësh trajtim në spital, Karovic është kthyer në shtëpi, por mjekët i kanë rekomanduar të mbajë mbështetëse për qafën për të paktën gjashtë javë. Ai pranon se përvoja e tmerrshme ka lënë gjurmë të thella dhe se tashmë e ka të vështirë të hipë sërish në një avion.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: