TIRANE-Tani që edhe mori një banesë sociale nga Bashkia e Tiranës, Tonin Tërshana është rikthyer në qendër të medias. Këtë radhë ai ka folur në gazetën ‘Panorama’ në lidhje me karrierën e tij si këngëtar.

Ai thotë se ka dalë për herë të parë në skenë kur ishte 16 vjeç, në festivalin e katërt të RTSH. Shkodrani thotë se i ka mbetur mbiemri Tërshana, pasi mbiemrin e ka pasur Palushi. Një gabim në gjendjen civile dhe mbiemri i mbeti ashtu.

Ai thotë se ka pasur festivale gjatë të cilit nuk janë dhënë fare çmime të para, vetëm çmime të dyta, pasi juria kështu mendonte.

Tërshana thotë se nuk paguheshe për pjesëmarrjen në festival.

Vetëm nëse fitoje, merrje 3 mijë lekë.

Çmimi i dytë ose i tretë merrte një stilolaps 700 lekësh.
“Unë e merrja dhe e çoja tek mapoja dhe ia lija shitëses për 600 lekë. Ajo e shiste 700 lekë dhe që të dy fitonim ndonjë gjë”.

“Kur këndoja unë, zakonisht i fitonte Vaçe Zela çmimet e para. Pastaj ia mora unë, kam katër çmime të para”.

Sa i përket Vaçe Zelës, Tërshana thotë se ajo ishte një këngëtare e mençur.

“Ajo arriti një pushtet që nuk e ka pasur dot asnjë këngëtar. Psh në festival dhe prova. Ajo vinte aty si një e huaj. Nuk vinte siç hynim ne, si tufa. Ishte e veçante. Kishte një pushtet edhe që të zgjidhte këngët që donte. Nuk dua të keqkuptohem kur them se Vaçja kishte pushtet, por kjo është e vërteta. E kishte arritur falë falentit të padiskutueshëm dhe jo ndonjë gjëje tjetër”.

I pyetur nëse ky fakt që Vaçja përzgjidhte këngët, ka qenë ndikues që ajo të merrte edhe çmimet e para në festivale më së shumti, Tërshana përgjigjet:
“Ndoshta, por sido që të jetë puna, ngado ta rrotullosh, prapë mençuria e Vaçes është. Pse nuk dija ta arrija unë atë pushtet, apo tjetri e tjetra? Sepse nuk dinim ta menaxhonim talentin që kishim.
Është njësoj sikur të kesh një mall e mos të dish ta shesësh. Vaçja dinte dhe ndaj kishte pushtet”.

Tërshana thekson se Vaçes nuk i ra ndonjëherë pushteti, por u ndje konkurrenca kur dolën emra si Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Lindita Theodhori, Parashqevi Simaku apo Arta Babaramo, për të cilën ai ka shumë vlerësime.

Lidhur me Babaramon, ai thotë se nuk e di pse ajo u hoq nga festivalët.

Sipas tij mund të qëndrojë ajo që thotë Gjergj Leka se ajo u spostua pasi shihej si rrezik për këngëtaret e mëdha.

“Por një zëri të bukur nuk ka çfarë t’i bëj askush. Edhe nëse lejon që të të spostojnë, është faji i vetes. Edhe mua, pasi mora çmimin e parë në vitin 1965, nuk më lanë për katër vite që të marr pjesë në festival”.

Ai thotë se arriti të rikthehet në festival me ndihmën e Petrit Dumes, pushkatimin e të cilit thotë se e ka përjetuar shumë keq.

Tërshana shprehet se Petrit Dume e kishte pikë të dobët.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: