TIRANE- Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli ka deklaruar sot në sallën e Kuvendit se përfshirja e një majori të Forcave të Armatosura Shqiptare në trafik droge është një alarm për të cilin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli duhet të japë dorëheqjen.
“Majori mori leje nga Ministria e Mbrojtjes, çfarë prisni që Mimi Kodheli të japë dorëheqjen kur ushtria përfshihet në trafik droge. Këta të gjithë janë fshehur si lepuj, por unë them që kjo është emergjencë ndërkombëtare. Nëse s’ju bën përshtypje ju qofshi, por po e çoni vendin drejt greminës”-deklaroi Topalli.

KODHELI: DHËNDRI I TOPALLIT BËNTE VIDEOKLIPE ME MJETET E FLOTËS

Në përgjigje të akuzave të deputetes Topalli, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi se prej shtatorit të vitit 2013 askush nuk mund të abuzojë me Forcat e Armatosura. Sipas Kodhelit, gjatë qeverisjes së të djathtëve, dhëndri këngëtar i zonjës Topalli shëtiste dhe bënte videoklipe me mjetet e Flotës Detare.

“Dua tju rikujtoj diçka . Me datën 15 shtator të vitit 2013, kur unë kam hyre për herë të parë në zyrën e Ministrisë së Mbrojtjes, është ngritur një përfaqësues i lartë i Forcës Detare i cili më ka thënë zonjë nuk kemi asnjë litër naftë për të patrulluar  bregdetin, 0 dhe ishte 15 shtator. Sot ne kemi qenë pjesë, javën e fundit të dhjetorit të vitit që kaloi të një aksioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë ku flota jonë detare ka dalë në patrullim për një javë rresht 24 orë në 24orë. A e dini pse mungonte nafta dhe pse abuzohej me të? Sepse dhëndri i zonjës dhe dhëndurët shëtisnin për të parë bregdetin shqiptarë me flotën ushtarake Shqiptare. Bënin dhe videoklipe në ajër e kështu me radhë. Prandaj në ka një njeri këtu që duhet të kërkoj pardo (falje) edhe për këtë gjë, pavarësisht se nuk i ka takuar fare si zonë influence dhe tani bën si eksperte është pikërisht kjo zonjë. Ju faleminderit.”- deklaroi Kodheli.

TOPALLI-KODHELIT: A KANË FLUTURUAR HELIKOPTERË USHTARAK NË KAKAVIJË?

Më pas ministrja Kodheli është larguar nga salla, teksa deputetja Topalli ka drejtuar disa pyetje lidhur me fluturimin e helikopterëve ushtarakë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
“A kanë fluturuar helikopterë ushtarak në Kakavijë dhe Gjirokastër të hënën dhe të martën që kaloi? Kush janë pilotët, kush janë këta helikopterë? Pse ikën kryeministri, ministrja, pse jeni fshehur të gjithë? Të kthehet menjëherë ministrja që avulloi dhe t’i përgjigjet menjëherë pyetjes që sapo ju bë?- deklaroi Topalli.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb