Redon Xhixha është fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2022, duke u shpallur kështu futbollisti më i mirë në Shqipëri. Në ceremoninë e zhvilluar në ‘Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit’ do të ishte Xhixha ai i cili do të triumfonte përballë rivalëve si Xhuliano Skuka, ish-sulmuesi i Partizanit dhe Mentor Mazrekaj, sulmuesi i Laçit.

Ky është ‘Topi i Artë’ i parë në karrierën e ish-sulmuesit të Tiranës. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Evis Kushi i dorëzoi trofeun e rëndësishëm kapitenit të KF Tiranës, Marsel Ismajlgeci, në mungesë të sulmuesit shqiptar, i cili së fundmi është transferuar në ekipin e Qarabag-ut në Azerbajxhan.

“Nuk ka asnjë dyshim që futbolli është sporti më popullor, që frymëzon, që i bashkon njerëzit dhe ngjall emocione të papërshkrueshme”, tha Ministrja Kushi teksa u ngjit në skenë.

Përmes një video-mesazhi, Redon Xhixha u shpreh i emocionuar që është vlerësuar me këtë çmim, ndërsa e cilësoi futbollin shqiptar si një vitrinë për të bërë hapa të rëndësishëm në karrierë.

‘Është një emocion jashtëzakonisht i madh për mua që jam vlerësuar me këtë çmim. Ndihem keq që nuk jam sonte në sallë me ju që ta tërheq vetë këtë çmim, por para pak ditësh finalizova transferimin tim te Qarabag dhe e kam të pamundur të jem aty. Dua të falënderoj familjen time dhe ekipin e Tiranës ku dola kampion. Dua të them që futbolli shqiptar është një vitrinë e mirë për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë në ekipet e njohura europiane. Mbrëmje të bukur të gjithëve dhe ia kalofshi sa më mirë”, – tha Redon Xhixha në video-mesazhin e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb