TIRANE– Ish-Presidenti Bamir Topi thotë se për situatën me kanabisin në vend, ka pritur një qëndrim realist të kryeministrit Rama. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Topi thotë se nëse disa vite më parë njihej rasti i Lazaratit, si rast i izoluar, tashmë ky fenomen është përhapur gjerësisht.

“Kam pritur që Rama të thoshte arsyen pse vendi precipitoi në këtë situatë me kanabisin. Ishte rasti i Lazaratit, por ishte i veçuar. Ndërsa tashmë fenomeni është përhapur. Sot edhe qytetari i thjeshtë e di që çfarë ka ndodhur me kanabisin në Shqipëri. Është një rrezik i madh kur gjerat nuk pranohen. Nëse nuk pranohen gjërat që janë të dukshme, atëherë çfarë bëhet me ato të tjerat”, u shpreh ish-presidenti Topi.

Sakaq, ai ka komentuar edhe audio-përgjimin e publikuar nga PD, i cili implikon vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës. Ai tha se prokuroria duhet të jetë transparente në lidhje me këtë çështje.

“Prokuroria duhet të dalë dhe të thotë kemi administruar një kallëzim penal, deri këtu është ecura. Pra duhet të ketë transparencë. Koha ka treguar që Prokuroria ka qenë institucioni që është sulmuar më shumë”, tha ish-Presidenti Bamir Topi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb