Mbrëmë, në darkë, nën një shi të hollë vjeshte, ndesha njërin nga miqtë e mi të rinisë. Kemi luajtur bashkë basketboll dhe kemi ruajtur miqësinë e dikurshme.

Pasi zbriti nga biçikleta, bëmë një copë rrugë në këmbë.

Si është djali? – e pyeta.

Djali i tij 16-vjeçar stërvitet në basketboll. E kisha parë disa herë në njërën nga palestrat e vjetra të shkollave të Tiranës.

-Mirë, më tha, ka shkuar 2.1 metra i gjatë.

-Ou, i thashë i habitur, vazhdon me të njëjtin ekip?

-Jo, tha, e çova në një shkollë në Itali.

E panë skautët italianë dhe e morën. Para tij kanë shkuar edhe katër çuna të tjerë atje. Është një shkollë e specializuar që merret me talente.

-Po këtu, e pyeta, nuk ka mundësi të vazhdojë?

-Po ti i ke parë kushtet, më tha, mizerje. Asnjë kujdes, asnjë program për ta ringritur basketbollin.

I pe shqiptarët e Turqisë? më pyeti. Tre basketbollistë të kombëtares, nënkampionë të Europës.

Shiko Islandën, një ekip që dikur Shqipëria e mundte. Shiko Finlandën, sa kanë ecur. Vende pa traditë në basketboll!

Këtu na ikin fëmijët jashtë, shtoi me një psherëtimë të gjatë. Sa shpresë kishim…

Shiu që binte e bënte pak më të zymtë bisedën.

-Po pse, e pyeta, kam dëgjuar që Komiteti Olimpik merr fonde për klasat sportive?

Ai qeshi me ironi:

-Ke parë gjë ti? më tha. Unë nuk shoh ndonjë fond për fëmijët tanë në basketboll.

Vazhduam të ecnim.

-E ndoqe konkursin për Pallatin e Sportit “Partizani”? e pyeta për të ndryshuar temën. Bashkë kishim kaluar rininë në atë fushë.

-Jo, më tha.

-Interesante, i thashë, një fushë e madhe dhe një lloj kulle në formë topi.

Te kryqëzimi i rrugës u ndamë.

Duke i hipur biçikletës, më pa në sy dhe më tha:

-Pallati mund të jetë në formë topi, por topin nuk ka më kush ta gjuajë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: