Ish-ambasadori Spartak Topollaj, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në Venezuelë dhe aksionin amerikan që çoi në arrestimin e presidentit Nicolas Maduro, duke theksuar se ndërhyrja e SHBA-ve lidhet me disa faktorë politikë, strategjikë dhe ideologjikë.
Sipas Topollajt, ndryshe nga sa pretendohet shpesh, arsyeja kryesore e goditjes nuk lidhet me naftën, mineralet apo pasuritë natyrore të Venezuelës, të cilat ai i cilësoi si pronë të popullit venezuelian. Ai theksoi se fuqitë e mëdha historikisht kanë ndjekur politika ekspansioniste dhe se rasti i Venezuelës duhet parë në këtë kontekst.
“Rreziku që shikon SHBA është një model sundimi autokratik i një njeriu të vetëm, një lloj komunizmi modern që nuk mund të tolerohet kaq pranë”, u shpreh Topollaj, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të pranojnë një situatë të tillë në kontinentin amerikan.
Ai solli si shembull Kubën, e cila sipas tij u tolerua nga SHBA për t’u shndërruar në një model negativ të keqqeverisjes, ndërsa sot mbetet një nga vendet më të varfra, pavarësisht pasurive dhe potencialit të saj. “Politikisht, strategjikisht dhe moralisht, SHBA ndihen të përfshira sepse bëhet fjalë për kontinentin e tyre”, theksoi ai.
Topollaj kujtoi gjithashtu ndërhyrjet amerikane në vende të tjera, përfshirë Iranin, duke nënvizuar se SHBA veprojnë mbi bazën e interesave të tyre, edhe pse kjo nuk do të thotë se tregojnë më shumë kujdes për popujt sesa liderët përkatës.
Duke folur për figurën e Nicolas Maduro, ish-ambasadori rikujtoi rrugëtimin e tij nga shofer dhe sindikalist, deri në poste të larta shtetërore, përpara se të qëndronte 13 vite në krye të Venezuelës. Ai theksoi se Amerika Latine ka një histori të gjatë përplasjesh me SHBA-në, përfshirë rastin e Kilit dhe Salvador Allendes, ku Uashingtoni, sipas tij, nuk lejoi ndërtimin e një modeli socialist alternativ.
“Nuk mund të lejohej një Kubë e dytë, ashtu siç nuk mund të lejohej që Venezuela të ecte në të njëjtën rrugë”, u shpreh Topollaj.
Në fund, ai përmendi edhe paralajmërimet e presidentit amerikan Donald Trump ndaj vendeve të tjera të rajonit, përfshirë Kolumbinë, lidhur me trafikun e drogës, duke theksuar se mesazhi ishte i qartë: kush ndjek të njëjtën rrugë, mund të përfundojë si Maduro.
