Të paktën 23 persona humbën jetën në shtetin e Misisipit si pasojë e një tornadoje të fuqishme që preku pjesët jugore të Shteteve të Bashkuara, mbrëmjen e së premtes. Dhjetëra ndërtesa mbetën të shkatërruara.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Misisipit tha përmes një postimi në Twitter se ekipet e kërkimit dhe shpëtimit nga agjencitë lokale dhe shtetërore ndodhen në terren për të ndihmuar viktimat e prekura nga tornadoja.

Shërbimi Kombëtar i Motit konfirmoi se tornadoja shkaktoi dëme rreth 60 milje (96 kilometra) në verilindje të qytetit të Xheksonit, në Misisipi.

Në qytetet rurale të Rolling Fork si dhe Silver Siti u raportuan shkatërrime pasi tornadoja përfshiu verilindjen me shpejtësi prej 113 km/h dhe pa u dobësuar, duke u shtrirë më tej drejt qyteteve të shtetit të Alabamës, përfshirë qytetet Winona dhe Amory.

Guvernatori i Misisipit, Tate Reeves përmes një postimi në Twitter e përshkroi atë që ndodhi si “një tragjedi”.

Përmes një deklarate, Presidenti Joe Biden tha se kishte biseduar me guvernatorin, me Agjencinë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) dhe autoritetet lokale për të ofruar mbështetje federale për rimëkëmbje.

“Imazhet në Misisipi të thyejnë zemrën”, tha ai në deklaratë.

Sipas të dhënave të rrjetit që regjistron ndërprerjen e energjisë në Shtetet e Bashkuara, rreth 40 mijë konsumatorë në shtetin Tenesi, 15 mijë konsumatorë në Misisipi dhe 20 mijë konsumatorë në shtetin e Alabamas kanë mbetur pa energji./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: