TIRANË-Avokati i Popullit u rekomandon kryetarëve të bashkive në vend, përgatitjen e vend-strehimeve për grupet në nevojë emergjente, me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre.
Në një deklaratë për mediat bëhet e ditur sot se Avokati i Popullit, Totozani, në rekomandimin drejtuar njësive vendore, thekson se “Sfida më e madhe që ne përballemi sot nga këndvështrimi im si Avokat i Popullit, është aftësia për të përmbushur objektivat sociale, të sigurta dhe gjithëpërfshirëse, veçanërisht atë objektiv që lidhet me strehimin social, mungesa e të cilës përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe cenon të drejtën për të jetuar me dinjitet”.
Axhenda e miratuar në samitin e Kombeve të Bashkuara në muajin shtator 2015 “Për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2015 – 2030”, i kushton rëndësi edhe objektivit që lidhet me strehimin e përshtatshëm, të sigurtë dhe të përballueshëm, për të gjithë. “Institucioni i Avokatit të Popullit ngre me shumë shqetësim dhe bën thirrje të mbahet në konsideratë nga ana juaj marrja e masave emergjente në ndihmë të kategorive të popullsisë, të cilët realisht janë në pamundësi totale të sigurimit të një vend-strehimi”, theksohet ne deklarate.
(ed.me/BalkanWeb)
