TIRANE- Avokati i Popullit, Igli Totozani, dënon dhunën e përsëritur fizike dhe psikologjike që ushtrohet ndaj të miturve në shtëpitë e fëmijëve, të cilat kanë si funksion parësor krejt të kundërtën, ofrimin e kujdesit maskimal për mirërritjen dhe edukimin e këtyre fëmijëve jetimë apo të braktisur nga prindërit. Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e thellë lidhur me përsëritjen e rasteve të dhunës nga kujdestarët në shtëpitë e fëmijëve.
Avokati i Popullit ka ngritur një grup të posaçëm ekspertësh për të monitoruar dhe verifikuar kushtet e trajtimit psikologjik dhe fizik të të miturve në çdo shtëpi fëmije në të gjithë vendin. Totozani fton edhe shoqërinë civile t’i bashkohet kësaj iniciative, nëpërmjet krijimit të rrjeteve të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve nëpër cdo njësi administrative.
“Dhuna ndaj fëmijëve është akt i patolerueshëm, i dënueshëm me ligj si vepër penale, dhe një akt çnjerëzor. Kjo formë dhune bëhet edhe më e rëndë kur ushtrues të saj janë edukatorët dhe kujdestarët e tyre”, shprehet Totozani. Avokati i Popullit kërkon marrjen e masave më të ashpra ndëshkuese për të gjithë ata punonjës të qendrave rezidenciale, të cilët guxojnë të ngrenë dorë kundër fëmijëve të pambrojtur, si dhe marrjen e masave efikase për parandalimin e këtyre akteve.
Gjithashtu, Avokati i Popullit konstaton si problematikë dobësimin e mekanzimave mbrojtës të të drejtave të fëmijëve, pjesë e strukturave të pushtetit vendor, përmes ndryshimit të vazhdueshëm të stafeve të trajnuara me fondet e taksapaguesve shqiptarë dhe organizmave ndërkombëtarë. Ndërsa, thekson se reforma territoriale dhe decentralizimi duhet të shoqërohen me forcimin e këtyre mekanizmave mbrojtës, të ngritjes dhe funksionimit të tyre në bashkitë dhe njësitë e sapokrijuara. Stabiliteti afatgjatë i stafeve të këtyre mekanizmave është kusht për konsolidimin e tyre.
Punonjësit e institucionit të Avokatit të Popullit aktualisht ndodhen në shtëpinë e fëmijës në Durrës, pas dhunës së ushtruar nga kujdestarja ndaj një fëmije tre-vjeçar. Avokati i Popullit, Igli Totozani shpreh një falënderim të posaçëm për median, e cila në shumë raste po ushtron funksionet e munguara të strukturave shtetërore, madje me më shumë përkushtim dhe angazhim në denoncimin e këtyre rasteve.
(ed.me/BalkanWeb)
