* AP thirrje qeverisë: Publikoni minimumin jetik

FUSHE-KRUJE- Avokati i Popullit, Igli Totozani, ishte sot në Fushë-Krujë dhe Kurbin, së bashku me një grup ekspertësh nga institucioni, në kuadër të Ditëve të Hapura. Totozani u takua me banorë të këtyre zonave, si dhe drejtues lokalë.

Pas ankesave të banorëve në zonën e Fushë-Krujës dhe takimit me drejtues të qendrës shëndetësore, Avokati i Popullit u njoh me problemet kryesore të tyre. Shqetësim i madh mbetet mungesa e një autoambulance, e cila është e domosdoshme në këtë njësi administrative me mbi 70 mijë banorë. Rëndësia e pajisjes së kësaj qendre shëndetësore me një autoambulancë rritet edhe për shkak të pozicionit të Fushë-Krujës pranë rrugës nacionale, ku numri i aksidenteve është i lartë. Ndërkohë, në këtë qendër shëndetësore u evidentua edhe mungesa e pajisjeve si defribilatorë, apo e medikamenteve, kryesisht të serumeve.

Pas konstatimit të kësaj gjendje në qendrën shëndetësore të Fushë-Krujës, Avokati i Popullit i bëri thirrje Ministrit të Shëndetësisë të ndërhyjë në mënyrë urgjente, pasi kjo është një situatë e papranueshme.

“Janë me mijëra banorë që kanë nevojë për shërbim shëndetësor, por kur në qendër mungojnë pajisjet, autoambulanca apo serumet cfarë mund të presin qytetarët, alternativa e vetme e të cilëve mbetet rruga drejt kryeqytetit”, tha Totozani.

Avokati i Popullit në takimin me drejtuesin e Njësisë Administrative të Fushë-Krujës, Ilir Loci, bisedoi për problematikat kryesore që shqetësojnë banorët e kësaj zone. Totozani tha se furnizimi me ujë të pijshëm mbetet ende një shqetësim i pazgjidhur.

Banorët furnizohen me ujë vetëm dy orë paradite dhe dy orë pasdite. Ndersa papunësia është e lartë. Po kështu u evidentua fakti se që prej shumë vitesh mungojnë tërësisht fondet për strehimin me banesa sociale.

Edhe në Bashkinë e Kurbinit, Avokati i Popullit konstatoi problematika të ngjashme. Totozani tha se këto zona janë shndërruar në qytete të harruara, të zhytura në varfëri dhe papunësi. Rreth 1400 familje janë të pastreha dhe nuk kanë asnjë mundësi për banesa sociale për shkak të mungesës së fondeve. Totozani u shpreh me shqetësim edhe për furnizimin me ujë vetëm 4 orë në ditë për rreth 70-80 mijë banorë në këto zona.

“Ndihma ekonomike, pagesat sociale, pensionet, pagat minimale, janë të pamjaftueshme. Familjet që marrin 30 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike në muaj mbijetojnë në një situatë tepër të hidhur dhe fyese për dinjitetin njerëzor”, tha Totozani.

Avokati i Popullit, në mënyrë të përsëritur, i bëri thirrje qeverisë të publikoj sa më shpejt minimumin jetik. “Sistemi i mbrojtjes sociale, pa u bazuar në një standard real jetese, është i pavërtetë dhe fyes për dinjitetin njerëzor”, u shpreh Totozani.

Avokati i Popullit së bashku me grupin e ekspertëve do të përgatisin rekomandimet e posaçme për institucionet përgjegjëse shtetërore, duke i informuar mbi situatën e vështirë, si dhe duke kërkuar impenjimin maksimal të administratës shtetërore për gjetjen e zgjidhjeve për këta banorë, që duhet domosdoshmërisht të marrin shërbimet dhe ndihmën e shtetit.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: